Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ka mbledhur në Pallatin e Brigadave grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar ku në fokus të takimit ëshhtë integrimi i Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit të zgjeruar i cili zgjati katër orë kanë raportuar për procesin e integrimit Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, me fokus të veçantë Kapitullin 24 të negociatave, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Në takim kanë raportuar edhe drejtuesit politikë, Ervin Demo në qarkun e Beratit, dhe pas tij Blendi Klosi për Qarkun e Durrësit. Ndërkohë kanë munguar drejtuesit e tre qarqeve, Korçë, Vlorë dhe Kukës për shkak të disa angazhimeve jashtë vendit, si pjesë e një delegacioni në Irlandë.
Në mbledhje mësohet se Rama ka kërkuar nga deputetët që të jenë sa më të pranishëm në terren, për të bashkëpunuar me pushtetin lokal në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Për integrimin, Rama ka thënë se procesi po ecën shumë shpejt, ndaj deputetët duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët, sidomos me biznesin, ndërsa sigurinë ushqimore e ka konsideruar si sfidën kryesore.
Lini një Përgjigje