Në ditën e 13-të të protestave, kryeministri mblodhi mijëra socialistë në Sheshin Italia. Në vend të një feste për historinë e PS-së, aktiviteti u dominua nga përgjigjet ndaj protestuesve, justifikimet për qeverisjen dhe sfida e hapur ndaj qytetarëve në rrugë.
35-vjetori i Partisë Socialiste duhej të ishte një ditë feste për socialistët. Një ditë për të kujtuar themeluesit, historinë, fitoret dhe figurat që kanë ndërtuar të majtën shqiptare gjatë tre dekadave e gjysmë. Por ajo që ndodhi në Sheshin Italia kishte shumë pak nga atmosfera e një përvjetori dhe shumë më tepër nga një demonstrim force politik përballë protestës që prej 13 ditësh po sfidon qeverinë.
Vetë mënyra si u organizua aktiviteti tregoi se fokusi nuk ishte historia e PS-së. Deputetët, drejtuesit politikë dhe krerët e degëve u angazhuan prej ditësh për të sjellë sa më shumë njerëz në Tiranë. Nga qarqet u organizuan autobusë, ndërsa nuk munguan as ankesat nga administrata për pjesëmarrje të kërkuar si detyrim.
Në fund, sheshi u mbush. Por pyetja që mbeti pezull ishte nëse socialistët ishin mbledhur për të festuar 35-vjetorin e partisë apo për tu treguar protestuesve se Edi Rama vazhdon të ketë turmën e tij.
Edhe programi i aktivitetit e konfirmoi këtë. Pas një dokumentari të shkurtër për Fatos Nanon, në skenë doli Blendi Klosi vetëm për të prezantuar kryeministrin. Më pas, për më shumë se një orë, skena i përkiste vetëm Edi Ramës. Nuk pati fjalime nga figura historike, nuk pati mesazhe nga socialistë të vjetër, nuk pati debat mbi rrugëtimin e partisë. Ishte një monolog i gjatë i kryeministrit.
Dhe jo rastësisht, pjesa më e madhe e fjalës së tij iu kushtua protestës. Rama tentoi të bindte socialistët se revolta po ushqehej nga rrjetet sociale dhe informacionet e deformuara.
“Po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke dëgjuar dhe parë turlillojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati dhe lloj-lloj videosh e fotosh të prodhuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, gradaçela mbi lagunën e Sazanit, do të kisha dalë në bulevard, i llahtarisur. Do të më dukej edhe mua që kjo, e gatuar pas shpinës së popullit, u bashkua kontinent më kontinent për të shpëtuar vendin tim”, tha ai.
Më pas kryeministri nisi të nxjerrë bilancin e tij mjedisor, në përpjekje për t'iu kundërvënë akuzave të protestuesve se po dëmton zonat e mbrojtura.
“Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj për ta kujtuar Tiranën e 25 viteve më parë. Mbi 90 për qind e pemëve që shohin në rrugët e Tiranës i kemi mbjellë ne. Kur dola nga Bashkia lashë pas 55 mijë rrënjë pemësh dekorative. Vetëm në skarpatet e Lanës janë hequr 123 mijë ton beton”, deklaroi Rama.
Në një moment tjetër ai renditi vendimet e qeverisë së tij për mjedisin, duke përmendur ndalimin e prerjes së pyjeve, ndalimin e importit të mbetjeve, ndalimin e gjuetisë dhe anulimin e hidrocentraleve në Valbonë e Vjosë.
Por ndërsa kryeministri numëronte pemët, hektarët dhe kontratat e anuluara, protestuesit kanë vetëm një thirrje: "Rama ik". Përballë kësaj thirrjeje, Rama duket se përdori si mburojë socialistët dhe festën e PS.
Në fund të fjalimit, Rama kaloi nga mbrojtja te sfida. Ai pranoi se ka gabuar, por la të kuptohet se nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs.
“S’e kam bërë gjithçka mirë. Kam gabuar jo një herë. Edhe pse kurrë nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë ta kem bërë pa qëllim apo me vlerësim të gabuar. Unë do t’i jap Partisë Socialiste pa kursim gjithçka që kërkohet nga një lider dhe bashkë me PS-në do ta çojmë Shqipërinë në majën ku dielli lind andej nga perëndon”, tha ai.
Por deklarata më domethënëse ishte ajo me të cilën mbylli çdo mundësi dialogu me protestuesit: “Nuk kam asnjë negociatë me ju dhe nuk negocioj as programin, as kontratën me ata që më kanë votuar.”
Kështu, 35-vjetori i Partisë Socialiste përfundoi larg atmosferës së një feste tradicionale. Në vend të historisë së partisë, në qendër ishte beteja politike e ditës. Në vend të reflektimit, demonstrimi i forcës. Dhe në vend të një ditëlindjeje, një përpjekje e Edi Ramës për të përdorur partinë si komardare shpëtimi përballë revoltës më të madhe qytetare me të cilën është përballur vitet e fundit.
Abtimitingu i vućićit. Nuk ju shpëtojnë dot as vućići, o Ramo e Saleh!
Vetem Inspektoriate ke o qelo aty kta hajdutet e LSI qe ke vene PS e ke para Kryeministris
Këtij njeriu së pari i duhet hequr pasaporta. Do jetë dhimbje për shqiptarët po u largua pa u gjykuar.