TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Qershor 2026, 18:36

Rama nxjerr makinën llogaritëse për të sfumuar protestat: Kemi ruajtur zonat e mbrojtura

Shkruar nga Pamfleti
Rama nxjerr makinën llogaritëse për të sfumuar protestat:
Pamje nga aktiviteti i PS

Teksa protestat kundër projektit në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit vijojnë prej gati dy javësh, kryeministri Edi Rama ka tentuar t'u përgjigjet kritikave duke nxjerrë një sërë shifrash dhe statistikash mbi politikat e qeverisë së tij për mjedisin.

Në fjalën e mbajtur gjatë festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama u ndal gjatë te zonat e mbrojtura, duke argumentuar se është pikërisht qeveria e tij ajo që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri.

Ligjin e parë për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e PS-së në mandatin tonë të parë. Deri në vitin 2017, Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojtura. Ishim ne që, gjatë mandatit të dytë dhe të tretë, e kemi çuar në 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur”, deklaroi Rama.

Kryeministri renditi më pas një seri treguesish, duke folur për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, administrimin e parqeve kombëtare dhe bllokimin e projekteve hidroenergjetike në disa prej zonave më të ndjeshme të vendit.

Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me administratë në të gjithë territorin për zonat e mbrojtura, me 12 parqe kombëtare, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 700 monumente natyre. Ishim ne që bllokuam lejet e dhëna mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm mbi lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve”, tha ai.

Një pjesë e rëndësishme e argumentimit të Ramës lidhej me lumin Vjosa, të cilin qeveria e shpalli Park Kombëtar pas anulimit të dhjetëra kontratave për hidrocentrale.

Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, bashkë me degët e veta, në një sipërfaqe prej plot 12 mijë hektarësh, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh”, u shpreh kryeministri.

Megjithatë, ndërsa Rama rendiste shifrat dhe projektet e realizuara në fushën e mjedisit, disa kilometra larg Sheshit “Italia” po nis protesta që pikërisht mbron zonat e Sazanit dhe Zvërnecit nga projekti i investimit të Jared Kushner. Për protestuesit, çështja nuk lidhet me numrin e parqeve kombëtare apo hektarëve të mbrojtur në letër, por me vendimin konkret për t'i hapur rrugë një investimi privat në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë duket se po përpiqet të kundërpërgjigjet ndaj revoltës me statistika dhe bilance qeveritare, në një moment kur debati publik është përqendruar jo te ajo që është mbrojtur deri më sot, por te ajo që qytetarët druhen se mund të humbasë nesër.

Lini një Përgjigje