David Rush, 49 vjeç, zyrtar i CIA-s që nga viti 2009 dhe pjesë e Drejtorisë për Shkencë dhe Teknologji, ndodhet në qendër të një skandali që ka tronditur komunitetin amerikan të inteligjencës. Ai akuzohet se ka krijuar një program sekret të rremë për të përvetësuar pasuri me vlerë dhjetëra milionë dollarë.
Rush punonte në një nga sektorët më të ndjeshëm të agjencisë, të lidhur me të ashtuquajturat Special Access Programs (SAP), programe me nivel shumë të lartë klasifikimi ku qasja lejohet vetëm për persona me autorizime të posaçme. Sipas hetimeve, ai shfrytëzoi pikërisht këtë sistem sekret për të mashtruar institucionin ku punonte.
Autoritetet amerikane dyshojnë se Rush krijoi një SAP fiktiv dhe, në emër të tij, kërkoi dhe mori 303 shufra ari me vlerë rreth 40 milionë dollarë, afro 2 milionë dollarë para në dorë dhe rreth 30 ora luksoze. Këto pasuri përfunduan në banesën e tij në Ashburn, Virginia, ku FBI-ja gjeti një pjesë të tyre gjatë kontrollit pas arrestimit.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe rolin e dy kolegëve të tij, të cilët dyshohet se e ndihmuan në procedurat për transferimin e pasurive. Nuk është ende e qartë nëse ata ishin bashkëpunëtorë të vetëdijshëm apo viktima të mashtrimit.
Sipas autoriteteve, Rush pretendonte se ari dhe asetet e tjera do të përdoreshin për operacione të fshehta shtetërore. Në realitet, kjo rezultoi të ishte një skemë mashtrimi.
Ndërsa hetimi u thellua, FBI-ja rishikoi të kaluarën e tij profesionale dhe zbuloi një seri mashtrimesh të tjera. Rush kishte falsifikuar elementë të rëndësishëm të biografisë së tij, duke përfshirë tituj akademikë dhe përvojën ushtarake në Marinën Amerikane. Ai kishte përfituar gjithashtu padrejtësisht një pagesë largimi prej 77 mijë dollarësh nga Marina.
Për vite me radhë ai shërbeu si zjarrfikës vullnetar në Ashburn dhe gëzonte reputacion të mirë mes kolegëve. Rush shpesh tregonte histori për karrierën e tij ushtarake, duke pretenduar se kishte qenë pilot luftarak i Marinës dhe madje pjesë e elitës “Top Gun”. Ai rrëfente se kishte fluturuar me avionë F-14 në misione nga Afganistani drejt Irakut dhe se në një rast ishte detyruar të hidhej me katapultë nga avioni.
Hetimet zbuluan se asnjë prej këtyre pretendimeve nuk ishte i vërtetë. Rush nuk kishte qenë pilot dhe nuk zotëronte licencë fluturimi; gjatë shërbimit ushtarak ishte marrë me pajisje dhe logjistikë.
Mediat amerikane raportojnë gjithashtu se Rush kishte marrëdhënie të mira me zëvendëssekretarin amerikan të Mbrojtjes, Stephen Feinberg. Sipas The New York Times, Feinberg kishte mbështetur rritjen e rolit të tij në disa projekte, duke e konsideruar një punonjës të vlefshëm. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë provë që e lidh zyrtarin e lartë të Pentagonit me skemën e dyshuar.
Çështja mbetet në fazat e para të hetimit. FBI-ja po vazhdon verifikimet për të kuptuar përmasat e plota të aktivitetit të Rush, ndërsa CIA përballet me pyetje të vështira mbi kontrollet e brendshme dhe mënyrën se si një zyrtar arriti të shfrytëzonte sistemin e saj më sekret për vite me radhë. /Corriere della Sera
Lini një Përgjigje