Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të forcojë pozitat e saj me numërimin e votave me postë. Nëse trendi aktual i përqindjeve të votave me postë mbetet i ngjashëm deri në fund të procesit, LVV pritet të sigurojë rreth 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në rezultatet preliminare, Vetëvendosja doli e para me 48 mandate. Pas numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike dhe një pjese të votave me postë, LVV arriti në 50 ulëse, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës humbën nga një mandat secila.
Aktualisht kanë mbetur për t’u numëruar edhe 37 vendvotime me postë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 86 mijë zarfe, ndërsa numri i votave të vlefshme me postë pritet të jetë afër 82.500.Trendet e votimit me postë dallojnë dukshëm nga ato në vendvotimet brenda Kosovës. Në vendvotimet lokale, LVV mori rreth 43 për qind të votave. Në përfaqësitë diplomatike (mbi 22 mijë votues) ajo arriti mbi 80 për qind, ndërsa në votat me postë të numëruara deri tani mbështetja për LVV qëndron mbi 65 për qind.
Sipas rezultateve të përmbledhura deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje prin me 44.4 për qind të votave, PDK është e dyta me 20.6 për qind, LDK e treta me 17.2 për qind, ndërsa AAK renditet e katërta me 7 për qind.
Gara për disa mandate të tjera mbetet ende e hapur dhe rezultati përfundimtar do të varet nga shpërndarja e votave në pjesën e mbetur të numërimit të votave me postë.
Fitorja i takon Albinit sepse aj punon per popullin, nuk eshte hajdut.