TAGS-AT E JAVËS

Kosova12 Qershor 2026, 09:15

27 vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë, dita që ndryshoi historinë e vendit

Shkruar nga Pamfleti

27 vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë, dita që ndryshoi

Kosova shënon 27-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, një ngjarje që konsiderohet si pika e kthesës në historinë moderne të vendit dhe fundi i luftës së viteve 1998-1999.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditësh bombardimesh të Aleancës Veri-Atlantike kundër objektivave ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, njësitë e para të NATO-s hynë në territorin e Kosovës në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR.

Hyrja e forcave ndërkombëtare shënoi fundin e konfliktit mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake e policore serbe, duke krijuar kushtet për vendosjen e paqes dhe administrimin ndërkombëtar të vendit.

Në të njëjtën kohë, Kosova u vendos nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërsa rreth 50 mijë ushtarë të NATO-s u angazhuan për garantimin e sigurisë.

12 qershori kujtohet jo vetëm si dita e çlirimit për shumë qytetarë të Kosovës, por edhe si një moment kritik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në prag të hyrjes së NATO-s, trupat ruse morën kontrollin e Aeroportit të Prishtinës, duke krijuar tensione të forta me forcat perëndimore dhe duke ngritur frikën e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s.

Megjithatë, pas ndërhyrjes diplomatike të SHBA-së dhe aleatëve të saj, Moska nuk arriti të dërgonte përforcime shtesë, pasi disa vende të Evropës Lindore refuzuan hapjen e hapësirës ajrore për avionët rusë.

Hyrja e NATO-s i hapi rrugën kthimit në Kosovë të mbi një milion shqiptarëve të dëbuar gjatë luftës, ndërsa gjatë 27 viteve të fundit rreth gjysmë milioni ushtarë nga vende të ndryshme kanë shërbyer në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR.

kosova nato 27-vjetori

Lini një Përgjigje