Shqipëria po përjeton një valë të shpejtë urbanizimi të përqendruar në Tiranë dhe bregdet. Ndërtimet masive po ndryshojnë rrënjësisht strukturën urbane dhe ekonomike të vendit. Kjo rritje shoqërohet me rritje të çmimeve dhe përjashtim social të shtresave më të dobëta.
Kanë kaluar vërtet shumë vite që kur, i shtyrë nga një kuriozitet personal, doja të bëja një udhëtim në Shqipëri. Isha i sigurt se, pas rënies së regjimit totalitar të Enver Hoxhës dhe ardhjes së kapitalit të huaj, ajo tokë do të pësonte një transformim drastik territorial.
Natyrisht, ishte një profeci e kollajshme. Dhe ja tek po ndodh: në një tokë tradicionalisht të dedikuar ndaj bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtimi po bën hyrjen e tij agresive, veçanërisht në kryeqytet dhe në bregdet.
Tirana është bërë një Milano e re dhe, si për rastësi, arkitekti referent është po Stefano Boeri, i bërë kudo i famshëm falë “Pyllit Vertikal” (Bosco Verticale). Një zgjerim ndërtimor i pa precedentë ky i Tiranës, i nisur qëkur kryebashkiak ishte Edi Rama (një socialist...), kryetar bashkie nga viti 2000 deri në 2011 dhe nga viti 2013 e në vazhdim kryeministër.
Boeri fitoi fillimisht projektin “Tirana 2030” (që është plani rregullues i qytetit) dhe më pas projektin “Tirana Riverside” (i konceptuar për të strehuar 4.000 të zhvendosurit nga tërmeti i vitit 2019).
Po t’i shikosh në faqen e internetit të Stefano Boeri Architetti, të bën përshtypje ngjyra e gjelbër që përhapet si një njollë vaji dhe që i karakterizon ato. Gjithsesi, portali voxeurop.eu raporton se sot në Tiranë numërohen 52.000 apartamente bosh; çmimet e shitjes në një të tillë në qendër lëvizin midis 2.500-4.500 euro/m2, ndërsa të ardhurat mesatare mujore bruto të një shqiptari janë vetëm 850 euro.
Dhe është pothuajse e pamundur të gjesh një apartament dyshodhomësh me qira për më pak se 600 euro në muaj. E megjithatë, plani rregullues është konceptuar për të mirëpritur 1.6 milionë banorë, kur Tirana mezi numëron 590.000 të tillë.
Ndërkohë, po vihet re dëbimi nga vija urbane i shtresave më pak të pasura dhe blerja e pronave të paluajtshme nga të huajt. Krahasimi me Milanon është mbresëlënës. Me dallimin se këtu shtohet edhe pastrimi i parave.
Por shpërthimi i aktivitetit të ndërtimit nuk kufizohet vetëm në kryeqytet. Nëse në vitin 2015 u dhanë leje për ndërtimin e ndërtesave të reja të banimit me një sipërfaqe prej 50 kilometrash katrorë, në vitin 2022 shtrirja ishte plot 2.071 kilometra katrorë: mbi 40 herë më shumë, dhe kjo prirje është e destinuar të zgjasë.
Dhe mos harroni: kjo gjë po ndodh në një vend që po zbrazet. Midis viteve 2011-2023 Shqipëria ka humbur pothuajse gjysmë milioni banorë. Por atëherë, ku përfundon betoni? Përgjigjja është e lehtë: mbi të gjitha në industrinë me ndikimin më të madh mjedisor në botë, atë të turizmit, dhe veçanërisht në bregdet.
Kjo ndodh ndërsa në brendësi vendi është gjithnjë e më pak i gjelbër. Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), nga viti 2018 deri në vitin 2023 vendi ka humbur 320.000 hektarë fond pyjor dhe kullota, nën indiferencën e autoriteteve publike dhe pavarësisht një moratoriumi teorik mbi prerjet.
Dhe importuesi më i madh i drurit është Italia, me plot 61 për qind. Pra në Shqipëri ka shpyllëzim masiv në brendësi dhe betonizim në bregdet: një përzierje vdekjeprurëse.
Por le të ndalemi konkretisht në bregdet, në jug të vendit, ku këto ditë ka përfunduar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare ishulli i Sazanit - i pabanuar, i rrethuar nga një det i kristaltë dhe i shpëtuar mrekullisht nga spekulimet e ndërtimit falë funksioneve ushtarake që sot nuk janë më në fuqi (gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës u ndërtuan mbi 3.600 bunkerë dhe tunele nëntokësore, të projektuara për t’i rezistuar një sulmi bërthamor).
Pikërisht këtu dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, një sipërmarrës hebre shumë i pasur, që e pa ishullin gjatë një udhëtimi me kroçerë, dëshiron të realizojë një mega-resort duke investuar 1.4 miliardë dollarë.
Kjo e resorteve është një histori e vjetër, po të mendojmë se tani, kur flitet për investime në botën e turizmit, nuk flitet më për kampingje apo zona të pajisura, por vetëm për vepra me ndikim të rëndë mjedisor, të destinuara në pjesën më të madhe për elitën.
Dhe në vitin 2025 atij iu dha një leje ndërtimi, e lehtësuar - si për rastësi - nga një ligj që duket i krijuar posaçëm (ad hoc) për “investimet strategjike” në vitin 2024. Ai ka krijuar një kategori të re projektesh urbanistike që mund të operojnë edhe mbi pronën publike dhe në mospërputhje me procedurat e rregullta të dhënies së tenderave, ndërsa amendamente të tjera kanë zbutur kufizimet mbi zonat e mbrojtura.
Por ky operacion i pasurive të paluajtshme (duke rritur vlerën e tij në rreth katër miliardë dollarë dhe duke parashikuar 10.000 shtretër) do të shtrihej edhe në bregdet (gjithmonë falë ligjit special të përmendur më sipër), në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë (zona e deltës së lumit Vjosa), një nga sitet natyrore me vlerën më të lartë në Evropë.
Ky është një peizazh i paprekur lagunash, dunash, pyjesh me pisha dhe zonash kënetore që mirëpresin disa nga rrugët më të rëndësishme të shtegtimit në Mesdhe (plot 200 specie shpendësh, mes të cilëve flamingot rozë).
Atje në prill u krijuan llogore me tela me gjemba dhe ku kanë hyrë tashmë në punë mjetet operative, duke shkatërruar një pjesë të dunave. Në fakt të dyja investimet nuk udhëhiqen drejtpërdrejt nga Kushner, por nga fondi i investimeve i krijuar prej tij, Affinity Partners, edhe me kapitale nga vendet arabe, veçanërisht ato katariane.
Kësaj i duhet shtuar fakti që Shqipëria i është bashkuar “Bordit të Paqes” së Trump-it (socialisti Rama është mik i mirë jo vetëm i Trump-it, por edhe i Netanyahut), dhe që Ivanka Trump është parë duke ngrënë drekë me Edi Ramën, i cili natyrisht e konsideron investimin faraonik si një mundësi që nuk duhet humbur.
Por jo gjithçka duket se po shkon në drejtimin e dëshiruar nga qeveria. Së pari Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE, dhe kjo e fundit i ka kërkuar prerazi të respektojë normativat në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
Së dyti, plot 28 shoqata mjedisore janë ngritur në mbrojtje të kësaj trashëgimie natyrore dhe veçanërisht për zonën bregdetare, dhe në vend ka pasur e ka ende revolta të vërteta popullore (por edhe në vende të tjera, përfshirë Italinë).
Bëhet fjalë për një lëvizje proteste nën thirrjen “Shqipëria nuk është në shitje” dhe e pagëzuar tashmë si “Revolucioni i flamingove”. Një lëvizje e anashkaluar në këtë mënyrë nga Rama: “Nëse nuk do të ishte Jared, askujt nuk do t'i bëhej vonë për atë që po ndodh në Shqipëri”.
Fakti që ai e thërret Kushner-in në emër dhe përmbajtja e deklaratës tregojnë shumë për personazhin. Po ashtu, vlen të kujtohet se Affinity Partners donte të realizonte vitin e kaluar një “Trump Tower” (në shenjë nderimi për vjehrrin e shquar) në Beograd (edhe këtu falë një normative speciale ad hoc).
Projekti nuk shkoi përpara për shkak të një procedimi nga prokuroria serbe për shpërdorim detyre dhe falsifikim të një dokumenti zyrtar. Si për rastësi, për këtë operacion imobiliar me karakter turistik që po zhvillohet aktualisht, SPAK, prokuroria e pavarur antikorrupsion në Shqipëri e themeluar në vitin 2019, ka nisur hetime mbi ndryshimet e bëra në vitin 2024 në statusin e mbrojtjes së zonës dhe në pronësinë e tokave, ndryshime këto që i hapën rrugën zhvillimit turistik.
Në përfundim, është e qartë se nga këto ngjarje, njolloset rëndë imazhi publik i qeverisë shqiptare.
Studentet si gjaku dhe indi me i lire i kesaj shoqerie duhet te bllokoje universitetet dhe me pas sheshet, cdo kryqezim dhe institucion,ne mes te dites dhe jo naten! Kesisoj presioni rritet dhe pershkallezohet drejt nje zgjidhje me te shpejte!