Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Liqenin e Ulzës, ku një i ri ka humbur jetën teksa po lundronte me motor uji.
Sipas informacioneve paraprake, alarmi është dhënë pak minuta më parë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor për të kryer veprimet procedurale dhe për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Burime nga terreni bëjnë me dije se drejt zonës është nisur edhe Kryeprokurori i Dibrës, Abaz Muça, i cili pritet të ndjekë nga afër hetimet për ngjarjen tragjike.
Deri në këto momente nuk është bërë i ditur identiteti i viktimës, ndërsa ende nuk dihet nëse personi që humbi jetën është turist apo banor i zonës.
Autoritetet po vijojnë verifikimet dhe mbledhjen e provave në vendngjarje, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë një reagim zyrtar me më shumë detaje mbi shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Liqeni i Ulzës është një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë sezonit veror, veçanërisht për aktivitetet ujore dhe turizmin natyror.
Lini një Përgjigje