Kërkimet për gjetjen e trupit janë shtrirë në disa zona të Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa policia po heton edhe një konflikt të mundshëm mes dy miqve që lidhet me aktivitete në fushën e kriptovalutave.
Kanë kaluar 11 ditë nga zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi dhe policia e Tiranës ende nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të tij. Ndërkohë, grupi hetimor ka zgjeruar operacionet e kërkimit në zonën e Dajtit dhe në qarkun e Elbasanit, në përpjekje për të zbuluar vendndodhjen e trupit ose prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Sipas burimeve hetimore, pas analizimit të provave të mbledhura deri më tani, hetuesit kanë krijuar bindjen se Eglant Koçi është vrarë. Dyshimet kryesore bien mbi shokun e tij, Armando Shakaj, i cili vijon të jetë në kërkim.
Nga hetimet paraprake rezulton se krimi dyshohet të ketë ndodhur brenda ambienteve të një zyre në Bulevardin “Zhan D’Ark” në Tiranë. Megjithatë, autoritetet nuk kanë arritur ende të lokalizojnë të dyshuarin kryesor dhe as të gjejnë trupin e 34-vjeçarit.
Eglant Koçi u zhduk më 4 qershor. Ai është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, duke lëvizur me motorin e tij me targa “CT969”. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar disa nga lëvizjet e tij në Tiranë gjatë orëve të fundit para zhdukjes.
Sipas të dhënave hetimore, Koçi ishte i punësuar në një mobileri. Paralelisht, policia po verifikon edhe informacione që lidhen me përfshirjen e mundshme të tij në aktivitetin e kriptomonedhave, pistë e cila mbetet pjesë e hetimit. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë dhënë një konkluzion përfundimtar mbi motivin e ngjarjes.
Ndërsa kërkimet vijojnë në disa zona të vendit, fati i Eglant Koçit mbetet ende i paqartë. Policia po punon për gjetjen e tij dhe për arrestimin e Armando Shakajt, i cili konsiderohet personi kryesor i dyshuar në këtë çështje.
Lini një Përgjigje