Nga Nigel Farage te Albin Kurti, modeli që po trondit establishmentin europian po gjen terren edhe në Shqipëri, duke u kthyer në makthin më të madh politik të Edi Ramës…
Me kalimin e javës së dytë të protestës, lëvizja qytetare, tashmë e konsoliduar si fenomen politik, po krijon profilin e saj.
Një profil që në themel ka një koncept të qartë populist, i cili i flet drejtpërdrejt “barkut të njerëzve”. Megjithatë, ky model është i studiuar me kujdes dhe nuk përbën aspak një “eksperiment shqiptar”.
Madje mund të thuhet pa asnjë rezervë se “Partia e Zemërimit” është kthyer në një trend politik në të gjithë botën dhe veçanërisht në Europë.
Ajo është bërë ‘modus operandi’ si i së djathtës, ashtu edhe i së majtës.
Nëse dikur partitë mobilizonin shoqëritë përmes ideologjive klasike; socializmit dhe kapitalizmit, sot motori kryesor është zemërimi i klasave të ulëta dhe të mesme, të cilat orientohen sipas interesave dhe narrativave përkatëse.
Në demokracitë bashkëkohore, “Partia e Zemërimit” është tashmë një konstante.
Po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar me Nigel Farage, i cili është kthyer në figurën më të spikatur politike të momentit, edhe pse në moshë është më i vjetri ndër rivalët e tij.
Farage po kalëron zemërimin e britanikëve të bardhë ndaj emigracionit, elitave liberale, bankierëve dhe status quo-së politike.
Në Spanjë, është partia e së djathtës radikale VOX që udhëheq valën e kundërshtimit ndaj kryeministrit socialist Pedro Sánchez, duke shfrytëzuar pakënaqësinë për korrupsionin, emigracionin dhe raportet me Perëndimin.
Në Francë, stafetën e familjes Le Pen e ka marrë Jordan Bardella, i cili po shihet gjithnjë e më shumë si presidenti i ardhshëm i vendit.
Në Gjermani, këtë rol e luan AfD-ja e Alice Weidel.
Në Itali, fillimisht ishte Beppe Grillo me lëvizjen “Vaffa”, ndërsa më pas Giorgia Meloni e përsosi modelin duke e transformuar zemërimin popullor në instrument pushteti.
Kur kanë ardhur në qeveri, pothuajse të gjithë populistët janë moderuar dhe janë bërë të ngjashëm me establishmentin që më parë sulmonin.
Shembulli më i qartë është Donald Trump.
Nga një figurë anti-luftë dhe anti-status quo, ai është shndërruar në një neokonservator të ngjashëm me epokën e George W. Bush-it, duke u përfshirë në konflikte të reja ndërkombëtare.
Ndërkaq, modeli më i afërt për ne është ai ballkanik, ku zemërimi përzihet me nacionalizmin, ndjenjën kombëtare dhe simbolikën patriotike.
Serbia ishte laboratori i parë e këtij modeli, i cili më pas u reflektua në forma të ndryshme në të gjithë rajonin.
“Partia e Zemërimit” e Albin Kurtit mbetet deri tani modeli më i suksesshëm.
Ajo ka fituar disa palë zgjedhje pa mbështetjen e klasës së madhe të kapitalit, e cila ka investuar vazhdimisht për ta rrëzuar.
Por ka humbur.
Megjithatë, pas tri fitoreve radhazi, edhe Albin Kurti po përgatitet të kalojë nga opozitari i zemëruar në administratorin e moderuar të pushtetit, duke negociuar me faktorët ekonomikë që më parë i luftonte.
Kështu që në Tiranë ka mbërritur prej kohësh edhe “detashmenti” i ekspertëve të inxhinierimit të zemërimit politik.
Një grup që sipas shumë vëzhguesve është i pranishëm pothuajse çdo ditë në protestat e kryeqytetit.
Edi Ramës kjo situatë i është kthyer në makth.
Sepse po sheh sesi “Partia e Zemërimit” po i pret krahët çdo ditë.
Po humbet deputetë.
Po humbet aleatë.
Po humbet oligarkë që po goditen nga SPAK-u.
Po humbet mbështetës të rëndësishëm ekonomikë dhe politikë.
Po humbet edhe njerëzit e fortë që deri dje i garantonin kontrollin e terrenit.
Për dy vite me radhë, Edi Rama arriti të tërhiqte në Shqipëri një pjesë të kapitalit që tradicionalisht investonte në Kosovë.
Përmes lejeve, licencave dhe favoreve, ai transferoi një pjesë të investimeve drejt Shqipërisë.
Por nëse sezoni turistik dëmtohet, siç duket se po ndodh, kjo hemorragji do të përshpejtohet.
Dhe bashkë me të do të bjerë edhe “tagjia” e pushtetit.
Ndërsa do të rritet edhe më shumë “Partia e Zemërimit”.
Sepse terreni është gati.
I ushqyer nga arroganca, nga abuzimet dhe nga lodhja e gjatë e pushtetit.
Por edhe nga efikasiteti i asaj që tashmë po shfaqet si një makinë e fuqishme online, e cila po çmonton armën më të rëndësishme që e ka mbajtur Edi Ramën në pushtet prej më shumë se një dekade: Propagandën./Pamfleti
Lini një Përgjigje