Pas 16 ditësh protestash të pandërprera në Tiranë, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, vlerëson se lëvizja qytetare ka arritur të ushtrojë presion mbi qeverinë, por shprehet dyshues se mund të prodhojë rezultate konkrete nëse vijon pa organizim dhe pa një drejtim të qartë.
Duka tha se protestat aktuale dallojnë nga tubimet e organizuara nga partitë politike, pasi sipas tij ato burojnë nga pakënaqësia dhe zemërimi i akumuluar i qytetarëve.
“Është e vështirë të ketë një produkt përfundimtar nëse janë kaq kakofoni, me grupe të ndryshme njerëzish dhe të paorganizuar. Nëse duan të kenë produkt, duhet të organizohen dhe të zgjedhin një grup njerëzish, dhe s’ka asgjë të keqe të mbështesin politikanë të rinj kundër establishmentit”, u shpreh ai në "A2 CNN".
Agron Duka u shpreh se tubimet po e vendosin qeverinë në një pozitë të vështirë, ndërsa shtoi se protestat me axhendë politike, si ato që organizonte PD-ja, nuk kanë dhënë rezultat dhe kanë treguar se nuk kanë vlerë.
Sipas tij, fakti që protestuesit kanë qëndruar në rrugë për 16 ditë radhazi tregon nivelin e lartë të indinjatës që ekziston në shoqëri.
“Bënë shumë mirë, sepse e vënë në pozitë të vështirë qeverinë. Ajo që unë e kam thënë gjithmonë, protestat me axhendë siç i bënte PD-ja s’kanë vlerë, realisht tregon që s’ka vlerë. Protestat bëhen kur ka një zemërim popullor siç ndodhi, për shumë e shumë arsye, duke filluar për Zvërnecin dhe më pas siç ata vetë kanë prononcuar, kanë nxjerrë shumë probleme që ka qeveria sot. Sepse ka indinjatë të madhe, të rrish 16 ditë në rrugë”, vijoi kreu i PAA-së.
Duka thekson se, nëse protestuesit synojnë të arrijnë ndryshime konkrete, duhet të kalojnë në një fazë më të organizuar dhe të ndërtojnë një përfaqësim të qartë politik ose qytetar që mund ta kanalizojë këtë pakënaqësi në rezultate të prekshme.
Lini një Përgjigje