TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Qershor 2026, 20:06

Surpriza e parë e madhe e Botërorit! Spanja ndalet nga debutuesit e Kepit të Gjelbër

Shkruar nga Pamfleti
Surpriza e parë e madhe e Botërorit! Spanja ndalet nga debutuesit e
Foto nga ndeshja

“La Roja” dominoi për 90 minuta, por nuk arriti të thyejë rezistencën e portierit 40-vjeçar Vozinha, duke u ndalur në një barazim të papritur 0-0 në Atlanta.

Botërori ka regjistruar surprizën e parë të madhe. Spanja, një nga pretendentet për trofeun, nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të Grupit H.

Në sfidën e zhvilluar në Atlanta, “La Roja” kontrolloi lojën nga fillimi në fund dhe krijoi disa raste të pastra shënimi, por u përball me një mbrëmje të jashtëzakonshme të portierit Vozinha. Gardiani 40-vjeçar u shndërrua në heroin e ekipit afrikan, duke neutralizuar çdo tentativë të spanjollëve.

Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutën e 39-të, kur Ferran Torres goditi traversën pas një asistimi të Cucurellës. Në vazhdim të aksionit, Oyarzabal provoi me kokë, por Vozinha reagoi në mënyrë fantastike për të mbajtur portën të paprekur.

Edhe në pjesën e dytë panorama nuk ndryshoi. Fabian Ruiz, Llorente dhe Cucurella provuan të gjenin golin e avantazhit, ndërsa në fushë u aktivizua edhe talenti Lamine Yamal, por mbrojtja e Kepit të Gjelbër dhe paraqitja heroike e portierit nuk lejuan asnjë gabim.

Nga ana tjetër, debutuesit e Kepit të Gjelbër u mbrojtën me disiplinë dhe tentuan të godisnin në kundërsulm, duke arritur të siguronin një pikë historike ndaj një prej kombëtareve më të forta të turneut.

Pas vërshëllimës finale, rezultati 0-0 u festua si një fitore nga afrikanët, ndërsa për Spanjën ky mbetet një hap fals që në startin e Botërorit.

Me këtë barazim, Kepi i Gjelbër shkruan një nga faqet më të bukura të historisë së futbollit të tij, ndërsa Spanja detyrohet të kërkojë reagimin në ndeshjet e ardhshme për të mos komplikuar rrugën drejt fazës me eliminim direkt.

spanja

Lini një Përgjigje