TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Qershor 2026, 22:30

Person kyç në dosjen “Aruba", Lala dhe Hoxha tregojnë arsyen pse nuk mund të ekstradohet Artur Shehu nga SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Person kyç në dosjen “Aruba", Lala dhe Hoxha

Gazetarët Klodiana Lala dhe Artan Hoxha kanë ndarë detaje të reja mbi Artur Shehun, një nga emrat që përmendet në dosjen e njohur si “Aruba”, e cila lidhet me hetimet për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe tjetërsim pronash.

Të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ata komentuan lëvizjet e Shehut jashtë Shqipërisë, statusin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe pretendimet që përfshihen në materialet hetimore.

Sipas Klodiana Lalës, dokumentet e dosjes tregojnë se pas takimit në Aruba, Artur Shehu ka vijuar udhëtimet në disa vende europiane.

“Dosja thotë se Artur Shehu pasi u përgjua në Aruba, rezulton të ketë udhëtuar në Majorka, në Belgjikë, Holandë, me qëllim për të folur për çështje biznesi që kishin të bënin me drogën, pastrimin e parave, pronat”, tha Lala.

Gazetarja shtoi se, për shkak të statusit që gëzon në SHBA, ekstradimi i tij do të ishte i vështirë.

“Dyshoj se mund të ekstradohet. Ka azil politik në SHBA. Çfarë përfaqëson ky personazh në SHBA? Nuk e dimë”, u shpreh Lala.

Nga ana tjetër, Artan Hoxha dha më shumë detaje për jetën e Shehut në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se ai jeton prej vitesh në Miami dhe ushtron aktivitet biznesi.

“Artur Shehu jeton në Majami, ka një biznes atje. Kanë shkruar disa herë mediat amerikane. Është hetuar edhe nga FBI-ja disa herë. Ka rezultuar i pastër nga hetimet”, deklaroi Hoxha.

Sipas gazetarit, statusi i azilit politik është arsyeja pse Shehu nuk mund të udhëtojë drejt Shqipërisë.

“Duke qenë se ka statusin e azilantit nuk mundet të vijë në Shqipëri, por vjen rrotull sepse humb statusin e azilantit”, tha ai.

Hoxha shtoi se, pavarësisht verifikimeve të kryera ndër vite nga autoritetet shqiptare dhe të huaja, ndaj Shehut nuk ka pasur masa kufizuese.

“SPAK e ka hetuar, edhe Antimafia e ka hetuar, por statusi i tij është qytetar i lirë”, u shpreh gazetari.

Deklaratat e dy gazetarëve vijnë në një moment kur dosja “Aruba” vijon të jetë në fokus të hetimeve, ndërsa SPAK po verifikon lidhjet, pasuritë dhe aktivitetet e personave të përfshirë në këtë çështje.

artan hoxha klodiana lala aruba

Lini një Përgjigje