TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Qershor 2026, 10:38

Si ‘ia la targën’ Edi Ramës neomalësorja Marjanë, në ditën më të keqe

Shkruar nga Pamfleti
Si ‘ia la targën’ Edi Ramës neomalësorja
Marjana Koçeku /

Paranoja, teoritë konspirative dhe presioni për dorëzimin e mandatit nuk po fshehin dot faktin se largimi i deputetes së Shkodrës ka hapur një çarje reale në sistemin politik që Edi Rama ndërtoi brenda PS-së...

Shpallja nga deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, se do të kalonte si e pavarur, mësohet se e ka destabilizuar Edi Ramën.

Në nerva e sipër, ai ka thirrur një mbledhje të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, njoftim që ua ka shpërndarë edhe mediave, me shpresën për të marrë një reagim nga e ashtuquajtura “neomalësore”, si pasojë e konfliktit të lindur pas çështjes së bujtinës në luginën e Liqenit të Komanit.

Por deputetja, sipas burimeve, nuk e ka prishur fare terezinë dhe nuk ka komunikuar me askënd.

Rama ka dërguar shumë emisare për të tentuar një negociatë të qetë, por duket se nuk ia ka dalë, pasi ka marrë të njëjtën përgjigje: qëndrimi është dhënë dhe nuk ndryshon.

Nga frika se mund të krijohet një efekt domino, për momentin ai ka pezulluar mbledhjet e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, duke lënë pezull edhe qëndrimin zyrtar të mazhorancës pas rreshtimit të hapur të deputetes së Shkodrës në krah të protestës.

Në këtë situatë të tensionuar, siç ndodh rëndom, kuzhina propagandistike ka nisur të prodhojë teori konspirative me armiq, agjentë dhe poliagjentë, për të mbajtur ngrohtë militantët e trullosur.

Deri tani kanë dalë disa versione.

Njëri thotë se deputetja është “rekrutuar” nga gjermanët, pasi ka marrë mbështetje për biznesin e saj.

Një tjetër pretendon se është e pakënaqur me emërimet në Shkodër, ku askush nuk e pyet dhe nuk i merr parasysh kërkesat e qytetarëve.

Dikush tjetër thotë se është mërzitur sepse “xhaxhi Edi” i bërtiti para pak ditësh në kalanë e Shkodrës.

Zëra të tjerë pretendojnë se gjithçka është një “marifet i shefit”, që ka diçka në mendje, por që nuk e di askush.

Brenda pak orësh qarkulluan teori të shumta.

Ndërkohë, ajo që dihet me siguri është se ata që kërkuan dorëzimin e mandatit nga Marjana Koçeku e kanë marrë urdhrin drejtpërdrejt nga Edi Rama.

I cili ka hyrë në një gjendje paranoje, sepse ende nuk ka kuptuar se çfarë fshihet pas largimit të një deputeteje vetëm 26-vjeçare.

Në realitet, përtej paranojës së kryeministrit, e cila ka arritur nivele tipike për autokratët në fund të ciklit të tyre politik, këtu ka shumë pak vend për teori konspirative.

Kur Marjana Koçeku u vendos e para në listën e Shkodrës për zgjedhjet e 11 majit 2025, Pamfleti publikoi një shkrim kritik ndaj kësaj zgjedhjeje.

Një kritikë e bazuar në reagimin e vetë socialistëve të Shkodrës, të cilët mbetën të habitur nga ky vendim.

Sepse Shkodra, si një nga qarqet më të rëndësishme të vendit, meriton të ketë përfaqësues të përgatitur, me peshë politike dhe të lidhur realisht me komunitetin që përfaqësojnë.

Marjana Koçeku u paraqit si përfaqësuese e Dukagjinit, ndërkohë që një pjesë e mirë e socialistëve të asaj zone nuk e njihnin fare.

Socialistët e Dukagjinit kanë një traditë të gjatë politike. Ata fituan pushtetin vendor dhe nxorën deputetë në kohë kur socialistët humbnin rëndom si në qytetin e Shkodrës ashtu edhe në Nënshkodër.

Pamfleti solli në atë kohë zërin e njerëzve të territorit dhe argumentoi se kjo ishte një zgjedhje axhami, pa përmbajtjen politike dhe intelektuale që kërkon përfaqësimi i një qarku si Shkodra.

Por Edi Rama reagoi me egërsi ndaj atij shkrimi, duke sulmuar gazetën, ndërkohë që në realitet zemërimin e kishte me socialistët e Dukagjinit.

Të cilët më pas i preu në besë me aksionin brutal në Theth.

Edhe sikur kritika e Pamfletit të kishte qenë e gabuar, ajo të paktën mbështetej mbi argumente që meritonin debat.

Edi Rama kërkon argumente vetëm kur i leverdis.

Kur ka vendosur të godasë dikë, nuk pyet për argumente, procedura apo skrupuj.

Megjithatë, ajo iku.

Dhe Marjana Koçeku rezultoi më dinake se vetë shefi i saj, i cili e kishte ngritur në qiell në televizione e takime publike.

I la targën pikërisht në ditën më të keqe.

Një largim që, sipas burimeve, ishte paralajmëruar prej kohësh nga një figurë e rëndësishme brenda PS-së, e cila i kishte thënë Edi Ramës: “Ajo ka për të na ikur”.

Ndërkohë, presioni për dorëzimin e mandatit është po aq absurd juridikisht sa edhe politikisht.

Një deputet, pasi merr mandatin, ka të drejtë ta mbajë atë, pavarësisht se është zgjedhur nën siglën e një partie.

Lëvizjet e deputetëve nga një grup parlamentar në tjetrin janë praktikë normale në çdo parlament demokratik.

Problemi real qëndron te sistemi i ndërtuar nga Edi Rama, ku kandidatët përzgjidhen personalisht prej tij, pa pyetur askënd.

Dhe më pas, siç ka ndodhur shpesh, një pjesë e tyre i lënë targën.

Përtej intrigave politike, Marjana Koçeku ka mbajtur kohët e fundit disa qëndrime publike që mund të konsiderohen pozitive.

Një prej tyre ishte kundërshtimi i asaj që ajo e quajti pengmarrje të Universitetit të Shkodrës nga klanet kriminale, proces që përfundoi me dorëheqjen e rektorit Tonin Gjuraj.

Ky është një qëndrim politik i qartë.

Dhe, edhe nëse është i vetmi deri tani, i jep një pikë jo të vogël deputetes së re.

Sepse po tregon se ka më shumë instinkt politik sesa vetë Edi Rama, i cili duket gjithnjë e më shumë i kapur nga klanet e errëta që kontrollojnë jo vetëm Shkodrën.

Në fund të fundit, Marjana Koçeku nuk i ka faj Edi Ramës./Pamfleti

 

neomalësorja edi rama

6 Komente

  1. A
    Aleksander

    nese Rames do i dhimbsej vendi dhe njerezit do ta lexonte ndryshe kete largim,

    1. v
      vk

      Neomalesorja nqs do kishte pak karakter, nuk do i bashkohej sektit te Ripjerdhjes!

      1. P
        Pak nga të gjitha

        Moralisht e zgjedhur nga listat e mbyllura ajo ka marrë votat e ps pavarsisht ligjit për deputetët cilin elektorat do perfaqsojë ajo. Ndersa zgjedhja e Edi rames në bazë të ligjit të 2008 është mjaft autokratike dhe dobeson demokracinë e mbrendshme në parti Rama dhe Berisha nuk patën burrëri politike ta ndryshonin ligjin

        1. i
          iliri

          Per mendimin tim ,zonja duhet ta lere mandatin,se po mos te kish qene per partine socialister skishte per ta njof kush,dhe paga qe po merr mbulon shpenzimet e bagetive

          1. s
            sfilitje.com

            Kjo u perket atyre shqiptareve qe me Besedhenien nenkuptojne Pabesine. Floriri shtohet me flori jo me ... .

            1. s
              studio

              zonjusha na fton ne zgjedhje te parakoheshme....me kte sistem elektoral banditesk...ku demokracia e vetme eshte parulla e STALINIT rus....ju votoni ne numerojme...dhe votat i tjetersojme sic na pelqen ne dyshes RAMA SALI....kjo eshte demonkracia dhe liria e votes e sistemit hibrit mafioz RAMA SALI....nuk ka zgjedhje te parakoheshme pa ndryshuar regullat e zgjedhjes ne nje sistem maxhoritar kombetar me vote direkte nga populli....jo numerues partiak aq me pak numerusit e PS PD qe jane ushtria patronazhiste kriminale e tjetersimit te votes....dhe kjo behet nga nje qeveri tranzistore qe do beje ndryshimet e nevojshme kushtetuse....pa ty zonjysha malesore qe bythlepive deri tani....megjithate nese je zgjedhur nga RAMA kjo ste ben deputete e zgjedhur nga POPULLI....megjithate ikja yte eshte ne kohen e duhur nga GRUPI I STRKTURUAR KRIMINAL I PS...pakice tashme....

              Lini një Përgjigje