TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 22:03

“Parlamenti i krimit”, “Çohuni nga kafja”, vijon pa u ndalur marshimi i protestuesve

Shkruar nga Pamfleti
“Parlamenti i krimit”, “Çohuni nga kafja”, vijon
Vijon marshimi

Pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke e zhvendosur protestën drejt institucioneve dhe akseve kryesore të kryeqytetit.

Një nga ndalesat kryesore të marshimit ishte godina e Parlamentit, ku protestuesit lëshuan thirrje të forta kundër deputetëve dhe klasës politike.

“Parlamenti i krimit”, “Parlamenti i shitur”, dëgjohej nga turma e protestuesve, të cilët akuzojnë politikën shqiptare se nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve.

Marshimi vijoi më pas në rrugët e Tiranës, ku protestuesit u bënë thirrje qytetarëve të linin lokalet dhe t’i bashkoheshin lëvizjes.

“Çohuni nga kafja”, ishte një nga sloganet që u përsërit vazhdimisht gjatë ecjes së protestuesve nëpër kryeqytet.

Teksa kalonin në Rrugën e Elbasanit dhe zona të tjera të qytetit, pjesëmarrësit kërkuan më shumë angazhim qytetar, duke argumentuar se ndryshimi nuk mund të vijë pa pjesëmarrje masive.

“Dilni dhe bashkohuni me ne”, dëgjohej nga protestuesit, të cilët prej 17 ditësh po protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë.

Lëvizja, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar gradualisht në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Në protestat e fundit janë shtuar thirrjet jo vetëm kundër qeverisë, por edhe ndaj opozitës dhe institucioneve që protestuesit i konsiderojnë pjesë të të njëjtit sistem.

protesta

Lini një Përgjigje