TAGS-AT E JAVËS

Sport16 Qershor 2026, 23:04

Spektakël francez dhe shfaqje force nga djemtë e Deshamp, gjelat mposhtin Senegalin dhe i "fusin frikën" pretendentëve

Shkruar nga Pamfleti
Spektakël francez dhe shfaqje force nga djemtë e Deshamp, gjelat
Kombëtarja e Francës

Franca e ka nisur me fitore aventurën e saj në Kupën e Botës, duke triumfuar 3-1 ndaj Senegalit në ndeshjen e parë të Grupit I, të zhvilluar në stadiumin “MetLife”.

Pjesa e parë ishte e varfër në raste, me momentin më të rrezikshëm që erdhi në minutën e 24-t, kur Nikolas Xhekson goditi shtyllën e portës së Majk Menjo pas një goditjeje të fortë me të majtën. Përtej këtij episodi, skuadrat nuk arritën të krijonin raste të tjera të pastra dhe 45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 0-0.

Franca e nisi më mirë pjesën e dytë dhe iu afrua golit në minutën e 53-të, por Majkëll Olize u ndal nga portieri Eduard Mendi. Pesë minuta më vonë, francezët kërkuan penallti pas një kontakti mes Sadio Mane dhe Kilian Mbape në zonë. Pas konsultimit me VAR-in, arbitri vendosi të mos akordojë 11-metërsh.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 66-të. Majkëll Olize dhuroi një asist të shkëlqyer për Kilian Mbape, i cili nuk gaboi përballë portës dhe kaloi Francën në avantazh.

Senegali reagoi menjëherë dhe Nikolas Xhekson dërgoi topin në rrjetë dy minuta më vonë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në minutën e 74-t, Dezajër Due ishte pranë dyfishimit të rezultatit, por Mendi mbajti gjallë shpresat e ekipit afrikan.

Goli i sigurisë për Francën erdhi në minutën e 82-të. Bredli Barkola, i futur në lojë si zëvendësues i Osman Dembele, shfrytëzoi në maksimum asistin e Adrien Rabio dhe realizoi për 2-0.

Në minutat shtesë, Ibrahim Mbaje ngushtoi diferencën për Senegalin, duke rikthyer emocionet në fundin e takimit. Megjithatë, kundërpërgjigjja e Francës ishte e menjëhershme. Kilian Mbape realizoi një gol spektakolar nga distanca për të vulosur fitoren 3-1.

Me këtë dygolësh, sulmuesi francez shkroi histori, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me kombëtaren e Francës, me 58 gola, një më shumë se Olivier Zhiru.

Falë këtij suksesi, Franca merr tre pikët e para dhe kryeson përkohësisht Grupin I. Ndeshja tjetër e grupit do të zhvillohet në mesnatë, mes Irakut dhe Norvegjisë.

 

 

franca senegali kupa e botës

Lini një Përgjigje