Teksa prej 17 ditësh qytetarët protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, Edi Rama duket se nuk ka mundur t'u shpëtojë kundërshtarëve as gjatë vizitës në Gjermani.
Kryeministri shqiptar është përballur me protestues shqiptarë në Berlin, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur Rama del nga aktiviteti dhe drejtohet drejt automjetit të tij, ndërsa përballet me thirrje dhe akuza nga protestuesit e pranishëm.
“Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, dëgjohet të thërrasin protestuesit.
Mes tyre pati edhe thirrje të tjera që lidhen me protestën që po zhvillohet në Shqipëri.
“Turp”, “Anulo projektin”, “Anulo ligjin”, ishin disa nga mesazhet që iu drejtuan kryeministrit teksa ai largohej nga aktiviteti.
Nga pamjet shihet se Rama nuk është ndalur për të komunikuar me protestuesit. Ai i ka përshëndetur me dorë dhe më pas është futur në automjetin që e priste jashtë godinës.
Incidenti vjen në një moment kur protesta e nisur për Zvërnecin ka hyrë në ditën e saj të 17-të dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike. Ndërsa qytetarët vijojnë tubimet dhe marshimet në Tiranë, duket se jehona e protestës po shoqëron kryeministrin edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Për më tepër, shihni pamjet.
Lini një Përgjigje