TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Qershor 2026, 22:20

17 ditë revoltë, një makth për kastën politike

Shkruar nga Pamfleti
17 ditë revoltë, një makth për kastën politike
Mesazhi i fortë nga protesta

E nisur si një reagim kundër projektit në Zvërnec, protesta ka hyrë në ditën e 17-të pa shfaqur shenja lodhjeje. Teksa Edi Rama e sulmon çdo ditë dhe Sali Berisha përpiqet t'i afrohet, lëvizja po vazhdon të artikulojë një refuzim të hapur ndaj gjithë klasës politike, duke u kthyer në shqetësimin më të madh të kastës që ka dominuar tranzicionin shqiptar.

Kur qytetarët dolën për herë të parë në shesh për të kundërshtuar projektin në Zvërnec, pak kush mendonte se protesta do të mbijetonte më shumë se disa ditë. Në Shqipëri jemi mësuar me revolta që shpërthejnë fort dhe shuhen shpejt. Por ajo që po ndodh para Kryeministrisë ka nisur të thyejë këtë rregull.

Sot protesta hyri në ditën e saj të 17-të. Për 17 ditë me radhë qytetarët janë mbledhur para Kryeministrisë, kanë marshuar në rrugët e Tiranës, kanë mbajtur fjalime, kanë sjellë studentë, pedagogë, aktivistë, profesionistë dhe përfaqësues të diasporës. Dhe mbi të gjitha, nuk kanë treguar asnjë shenjë lodhjeje.

Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar gradualisht në diçka shumë më të madhe. Në podium nuk flitet më vetëm për bregdetin apo për një investim të caktuar. Flitet për emigracionin, korrupsionin, mungesën e meritokracisë, kapjen e shtetit, arsimin, shëndetësinë dhe krizën e përfaqësimit politik.

Kjo është arsyeja pse protesta ka nisur të shqetësojë politikën.

Edi Rama nuk e ka injoruar asnjë ditë. Përkundrazi. Kryeministri ka reaguar vazhdimisht, duke sulmuar protestuesit dhe duke tentuar t'i paraqesë si grupe të manipuluara apo të nxitura nga interesa të caktuara. Vetëm në ditët e fundit ai ka folur për "bullistë", "çakej me dy këmbë" dhe "frymë fashiste", duke treguar se protesta ka hyrë në radarët e qeverisë shumë më tepër sesa pranohet publikisht.

Por nëse Rama e sulmon, në anën tjetër Sali Berisha po përpiqet t'i afrohet.

Në ditët e para, eksponentë të opozitës e panë me rezervë lëvizjen. Sot situata ka ndryshuar. Berisha po përpiqet ta paraqesë protestën si një revoltë kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Megjithatë, terreni po i jep një mesazh krejt tjetër.

Pothuajse çdo mbrëmje në protestë dëgjohen thirrje si "Rama në burg, Berisha në burg", "Nuk kemi opozitë, opozita jemi ne" apo "Ju erdhi fundi". Janë slogane që tregojnë se një pjesë e protestuesve nuk po kërkojnë zëvendësimin e një pale politike me tjetrën, por po shprehin refuzimin ndaj gjithë elitës që ka dominuar tranzicionin shqiptar.

Pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e kësaj lëvizjeje.

Për herë të parë pas shumë vitesh, në të njëjtin shesh po sulmohen njëkohësisht qeveria, opozita dhe sistemi politik që ka prodhuar rotacionet e pushtetit në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse protesta po krijon shqetësim në të gjitha kampet politike.

Ndërkohë, pjesëmarrja nuk po bie. Përkundrazi, çdo ditë në podium ngjiten zëra të rinj. Studentë që flasin për largimin nga vendi. Pedagogë që denoncojnë gjendjen e arsimit. Profesionistë që tregojnë historitë e tyre. Shqiptarë të diasporës që kthehen për t'iu bashkuar protestës. Eurodeputetë që kërkojnë nga Bashkimi Europian të monitorojë me kujdes atë që po ndodh në Shqipëri.

Pas 17 ditësh, pyetja nuk është më nëse protesta do të zgjasë edhe një ditë tjetër. Pyetja është nëse politika shqiptare do të vazhdojë të sillet sikur nuk po ndodh asgjë.

Sepse ndërsa Rama e sulmon dhe Berisha përpiqet ta përqafojë, protesta vazhdon të ecë në rrugën e saj. Dhe deri tani, nuk ka asnjë shenjë se qytetarët kanë ndërmend të ndalen. /Pamfleti

protesta revolta

Lini një Përgjigje