TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Qershor 2026, 21:38

Pse po emigrojnë milionerët?

Shkruar nga Pamfleti
Pse po emigrojnë milionerët?
Foto ilustruese

165 mijë milionerë në lëvizje, gara globale për kapitalin sapo ka nisur

Këto janë kohë të pasigurta, edhe për të pasurit. Shumë prej atyre që kanë mjaftueshëm pasuri për t’u zhvendosur jashtë vendit për arsye taksash, sigurie fizike ose politike, janë sot më pak të bindur për t’u vendosur në Dubai apo Hong Kong, madje edhe në Shtetet e Bashkuara apo Britaninë e Madhe. Megjithatë, shumë qeveri vazhdojnë të mirëpresin të huajt me para dhe aftësi profesionale, ndërsa një industri në rritje këshilltarësh të specializuar është gati t’i ndihmojë ata të zhvendosen.

Për këta këshilltarë, biznesi po lulëzon. Sipas kompanisë kërkimore New World Wealth, më shumë se 140 mijë milionerë u zhvendosën vitin e kaluar, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Këtë vit, numri pritet të arrijë në 165 mijë. Ndërkohë, IMI vlerëson se industria e migracionit për investime, e cila këshillon si individët e pasur ashtu edhe qeveritë që kërkojnë investime dhe talente, arriti një vlerë prej 40 miliardë dollarësh në vitin 2025, dyfish krahasuar me vitin 2019.

Deri para përshkallëzimit të tensioneve mes Iranit dhe shteteve të Gjirit, Dubai ishte një nga destinacionet më të preferuara, duke tërhequr një numër në rritje milionerësh, kryesisht nga Azia Jugore, por edhe nga vende si Nigeria, Siria dhe Libani.

Sipas përfaqësuesve të industrisë, interesi për emigrim po rritet edhe mes perëndimorëve të pasur. Në Britani, shumë individë me të ardhura të larta nisën të kërkojnë alternativa pas pandemisë. Vetëm gjatë vitit 2025 ata aplikuan në 23 programe migrimi për investime të ofruara nga qeveri të huaja, përfshirë programin amerikan EB-5 dhe skema në Grenada e Tajlandë.

Në Evropë, shqetësimet për taksat mbi pasurinë po shtyjnë gjithnjë e më shumë njerëz të pasur të largohen. Konsulenca Henley & Partners raportoi se vitin e kaluar Franca, Gjermania dhe Spanja u përfshinë për herë të parë në listën e vendeve që humbën më shumë milionerë sesa tërhoqën.

Megjithatë, ndryshimi më i madh po vërehet në Shtetet e Bashkuara, ku jeton më shumë se një e treta e individëve në botë me pasuri mbi 30 milionë dollarë. Avokati Ronald Klasko thotë se SHBA-ja është kthyer nga një treg periferik në tregun kryesor për kërkesat për shtetësi dhe rezidencë të huaj. Sipas tij, shumica e klientëve amerikanë interesohen për Evropën, për shkak të shqetësimeve mbi drejtimin politik të vendit, dëshirës për një rezidencë alternative ose mundësisë për të udhëtuar pa përdorur pasaportën amerikane.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, SHBA-ja vazhdon të tërheqë investitorë të huaj. Kërkesa për programin EB-5, që kërkon investim minimal prej 800 mijë dollarësh, mbetet e lartë. Në të kundërt, sipas avokatëve të fushës, interesi për vizën “Gold Card” të promovuar nga Donald Trump është shumë i ulët, për shkak të kostos së lartë dhe pasigurive ligjore.

Ndërkohë, vende të tjera po përpiqen të hyjnë në këtë treg. Shën Vincenti dhe Grenadinet njoftuan në fund të vitit të kaluar krijimin e një programi shtetësie për investime, ndërsa Uzbekistani, Maldivet dhe Nauru kanë kërkuar ndihmën e Henley & Partners për të hartuar skema të ngjashme.

Megjithatë, jo çdo vend vazhdon t’i mirëpresë investitorët e huaj. Në janar 2025, Spanja hoqi programin e rezidencës për investime prej 500 mijë eurosh, me synimin për të frenuar spekulimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Në prill, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendosi se programi i Maltës për shtetësi në këmbim të investimeve shkelte ligjin evropian. Po ashtu, Argjentina anuloi një projekt për krijimin e një programi të ngjashëm, ndërsa Portugalia zgjati nga pesë në dhjetë vjet periudhën e pritjes për marrjen e pasaportës nga shumica e emigrantëve.

Ekspertët theksojnë se gjithnjë e më shumë qeveri po përballen me presion për të forcuar kontrollet mbi aplikantët. Sipas Ronald Klasko, pyetja kryesore është nëse një shtet i njeh vërtet personat të cilëve po u jep pasaporta ose leje qëndrimi.

Pasiguria gjeopolitike nuk shqetëson vetëm shtetet, por edhe të pasurit. Megjithatë, shumë vende vazhdojnë t’i mirëpresin ata, ndërsa industria globale e migracionit për investime po përfiton nga kjo tendencë në rritje. /Përshtatur nga "The Economist"

udhetime milionere

1 Komente

  1. 1
    1rh

    Shume interesante..sidomos ne kete moment ????

    Lini një Përgjigje