Pas tubimit para Kryeministrisë dhe marshimit në rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit janë ndalur mbrëmjen e sotme në Sheshin “Skënderbej”, aty ku është krijuar një ambient i posaçëm për transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror.
Në shesh ndodheshin qindra të rinj që kishin zgjedhur të ndiqnin ndeshjen Francë-Senegal në ekranin gjigant të vendosur në qendër të kryeqytetit. Pikërisht aty mbërriti edhe kolona e protestuesve, të cilët iu drejtuan të pranishmëve me thirrje për t'iu bashkuar lëvizjes qytetare.
“Çohuni nga kafja”, “Bashkohuni me ne”, ishin disa nga thirrjet që dëgjoheshin teksa protestuesit kalonin mes turmës së mbledhur për ndeshjen.
Pamjet nga sheshi treguan një numër të madh të rinjsh që po ndiqnin aktivitetin sportiv, ndërsa protestuesit përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen e tyre drejt mesazheve të revoltës që prej 17 ditësh po zhvillohet në Tiranë.
Pjesëmarrësit në protestë argumentuan se, ndërsa sporti dhe argëtimi janë pjesë e jetës së përditshme, qytetarët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë përballë problemeve që sipas tyre po përjeton vendi.
Ndalimi në Sheshin “Skënderbej” ishte vetëm një nga stacionet e marshimit të sotëm, i cili nisi para Kryeministrisë, vijoi te Parlamenti, kaloi pranë shkollës “Kosova”, RTSH-së dhe Pallatit të Kongreseve, për t’u rikthyer më pas sërish në bulevard.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 17-të, po vazhdon të mbledhë qytetarë të moshave të ndryshme dhe nuk po shfaq shenja lodhjeje, ndërsa organizatorët e tubimit kanë paralajmëruar se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje