Pas më shumë se një ore marshim në rrugët e Tiranës, protestuesit janë rikthyer para Kryeministrisë, aty ku nisi edhe tubimi i ditës së 17-të të protestës qytetare.
Marshimi filloi nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, dhe vijoi drejt Parlamentit, ku protestuesit lëshuan thirrje kundër deputetëve dhe klasës politike.
Më pas, turma u drejtua nga zona e shkollës “Kosova”, duke vijuar itinerarin përgjatë rrugëve të kryeqytetit. Protestuesit kaluan edhe pranë Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa marshimi vazhdoi në krah të Pallatit të Kongreseve.
Gjatë gjithë itinerarit nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, si dhe “Çohuni nga kafja”, ishin disa nga sloganet që u dëgjuan gjatë marshimit.
Protestuesit u bënë thirrje qytetarëve që ndodheshin në lokale, në trotuare apo në automjete t’i bashkoheshin lëvizjes, duke argumentuar se protesta tashmë ka kaluar përtej kauzës fillestare dhe është kthyer në një reagim më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe klasës politike.
Pas kalimit në krah të Pallatit të Kongreseve, turma u rikthye sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u pozicionuar para Kryeministrisë.
Tubimi i sotëm shënon ditën e 17-të të protestave që nisën për mbrojtjen e Zvërnecit dhe që me kalimin e ditëve janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër qeverisë dhe establishmentit politik.
Lini një Përgjigje