TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Qershor 2026, 13:16

"Po mban peng PD për interesa personale", Salianji-Berishës: Kambalec i Ramës

Shkruar nga Pamfleti
"Po mban peng PD për interesa personale", Salianji-Berishës:
Berisha-Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, duke i kërkuar të dëgjojë zërin e protestuesve dhe të largohet nga drejtimi i partisë.

Në një reagim publik, Salianji e cilësoi Berishën si pengesën kryesore për ardhjen e opozitës në pushtet dhe i kërkoi t’i hapë rrugë rotacionit politik.

“Sali nuk je më opozita por je pengesa që opozita të vijë në pushtet! Sali Berisha duhet të dëgjojë thirrjet e shoqërisë për largimin e tij dhe t’i hapë rrugë rotacionit”, shkruan Salianji.

Sipas tij, Berisha po mban peng Partinë Demokratike dhe po vepron për interesa personale, ndërsa një pjesë e madhe e demokratëve kërkojnë largimin e tij.

“Ai është kambaleci që e mban Ramën në qeveri, pavarësisht se thuajse 70% e qytetarëve janë kundër tij. Ka 7 muaj që demokratët, në takimet e mia, kanë mbushur sallat dhe sheshet duke kërkuar largimin e Berishës, por ai e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po e mban peng për interesa personale”, shprehet Salianji.

Ish-deputeti demokrat shton se Berisha ka dëmtuar garën e brendshme në parti dhe se protestat e fundit përfshijnë edhe demokratë të pakënaqur me drejtimin aktual të PD-së.

“Shkatërroi garën dhe sot sheshi që duhet ta mbushte Partia Demokratike është plot edhe kundër Sali Berishës. Shumica janë demokratë që kërkuan që ti të largohesh”, deklaron ai.

Në reagimin e tij, Salianji argumenton se protestuesit po kundërshtojnë jo vetëm qeverinë e Edi Ramës, por edhe mënyrën e drejtimit të Partisë Demokratike.

“Protestuesit po ngrihen kundër autokratit Rama në qeveri dhe autokratit Berisha në parti. Ata duan demokraci, rregulla loje dhe meritokraci, jo parti të mbajtura peng nga individë që i vendosin interesat e tyre mbi ato të demokratëve”, shkruan Salianji.

Si përfundim, ai i drejton edhe një pyetje Berishës lidhur me atë që e cilëson si “ortakëri” me kryeministrin Edi Rama.

“Kam një pyetje: pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol. Dil e fol edhe si i djathtë, në një kohë kur hapësira publike është mbushur me thirrje komuniste të nxitura dhe nga ti si komunisti më i vjetër që je”, përfundon reagimi i Salianjit.

ish-deputeti i partisë demokratike ervin salianji berisha

Lini një Përgjigje