TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Qershor 2026, 13:05

“Europa po dëgjon zërin e protestuesve”, Tabaku ngre alarmin për Shqipërinë në Strasburg

Shkruar nga Pamfleti

“Europa po dëgjon zërin e protestuesve”, Tabaku ngre

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ndodhet në Strasburg, ku Parlamenti Europian po diskuton progres-raportin për Shqipërinë. Së bashku me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ajo po zhvillon takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve politike europiane.

Në një videomesazh nga Strasburgu, Tabaku deklaroi se çështjet për të cilat qytetarët po protestojnë prej ditësh në Tiranë janë bërë pjesë e diskutimeve me përfaqësuesit europianë.

“Çështjet për të cilat protestuesit kanë mbushur rrugët e Tiranës janë po ato çështje që prej vitesh gjenden në raportet e Parlamentit Europian”, u shpreh ajo.

Sipas deputetes demokrate, problematika të tilla si ligji i Investimeve Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë evidentuar vazhdimisht nga institucionet europiane.

“Ligji i Investimeve Strategjike, Ligji i Zonave të Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë njëkohësisht çështje të Shqipërisë dhe të Europës”, deklaroi Tabaku.

Ajo theksoi se këto problematika nuk përbëjnë vetëm shqetësime të opozitës apo të protestuesve, por janë pjesë e vlerësimeve që Bashkimi Europian ka bërë ndër vite për vendin.

“Zëri i qytetarëve që protestojnë po sillet sot në Parlamentin Europian dhe do të jetë pjesë e debatit parlamentar për Shqipërinë”, tha ajo.

Tabaku argumentoi se Shqipëria duhet të ndjekë standardet europiane të shtetit ligjor, institucioneve të pavarura dhe transparencës në qeverisje.

Sipas saj, vendi nuk mund të ecë drejt integrimit europian nëse vijon të funksionojë me modele që favorizojnë interesa të ngushta politike apo ekonomike.

“Shqipëria duhet të ndjekë modelin europian të shtetit ligjor, transparencës dhe institucioneve të forta, dhe jo rrugën e një autokracie elektorale apo të një shteti të kapur që miraton ligje me porosi dhe në funksion të interesave të një pakice”, u shpreh deputetja demokrate.

Ajo shtoi se protestat e qytetarëve përfaqësojnë kundërshtimin ndaj këtij modeli qeverisjeje dhe kërkesën për më shumë demokraci, llogaridhënie dhe mundësi për të rinjtë.

Qëllimi i takimeve në Strasburg, sipas Tabakut, është që shqetësimet që lidhen me shtetin e së drejtës, korrupsionin, transparencën dhe demokracinë të jenë pjesë e diskutimeve europiane për të ardhmen e Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

deputetja e partisë demokratike jorida tabaku strasburg parlamenti europian

Lini një Përgjigje