TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 16:08

SPAK shkund tregun e ndërtimit, Klodjan Braho: Kush ka investuar paratë e drogës, do përballet me ligjin

Shkruar nga Pamfleti
SPAK shkund tregun e ndërtimit, Klodjan Braho: Kush ka investuar
Klodjan Braho

Pas aksioneve ndaj ndërtuesve të dyshuar për pastrim parash dhe goditjes së grupit që trafikoi 50 tonë kokainë, kreu i SPAK jep mesazhin më të fortë deri tani për kullat, resortet dhe investimet e financuara nga krimi.

SPAK duket se po troket gjithnjë e më fort te kështjellat financiare të ngritura me paratë e krimit.

Pas aksionit të pak ditëve më parë ndaj ndërtuesve të njohur të dyshuar për pastrim parash, mes tyre Ilir Shtufi dhe Artur Shehu, Prokuroria e Posaçme ka goditur sot një tjetër grup kriminal që dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës dhe ka investuar fitimet në Shqipëri.

Mes kullave, resorteve, hoteleve, vilave dhe qindra pronave të sekuestruara, mesazhi që vjen nga SPAK është se beteja nuk është më vetëm kundër trafikantëve, por edhe kundër pasurive që dyshohet se janë ndërtuar me paratë e drogës.

Ky mesazh u artikulua qartë nga kreu i SPAK, Klodjan Braho, i cili reagoi pas operacionit të sotëm ku u sekuestruan 491 pasuri, përfshirë prona në Tiranë, Durrës, Himarë, Sarandë, Elbasan dhe zona të tjera të vendit.

"Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë, veprimtarinë ekonomike të bizneseve që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme. Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar, përdoren për të financuar veprimtarinë kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike", deklaroi Braho.

Fjalët e kreut të SPAK vijnë në një kohë kur hetimet po zhvendosen gjithnjë e më shumë te destinacioni final i parave të krimit. Në dosjen e fundit, SPAK thotë se fitimet e trafikut të kokainës janë sjellë në Shqipëri në formë cash dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani ndërtimi, hoteleri, konsulencë dhe aktivitete të tjera ekonomike.

"Për këtë arsye, pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen, të konfiskohen, të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime të ligjshme", theksoi Braho.

Operacioni i sotëm konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit ndaj pasurive të dyshuara si produkt i trafikut të drogës. Vetëm në Gjirin e Lalzit janë sekuestruar 121 prona, ndërsa në total janë vënë nën sekuestro 266 pasuri të paluajtshme, 209 llogari bankare, automjete, mjete lundruese, vila, apartamente dhe hotele.

SPAK ka zbardhur pesë episode të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa sipas hetimeve grupi ka operuar në Shqipëri, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Në total, në Belgjikë, Holandë, Kolumbi dhe Ekuador janë sekuestruar 8 tonë e 960 kilogramë kokainë.

Në fund të deklaratës së tij, Braho dha edhe një garanci për bizneset e ligjshme, por pa lënë asnjë dyshim për drejtimin që po marrin hetimet.

"SPAK garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe pasuritë që lidhen me veprimtarinë kriminale. Në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronësisë dhe të drejtat e tjera reale të personave fizikë dhe personave juridikë që investojnë në veprimtari ekonomike apo në sipërmarrje private mjete monetare dhe pasuri të fituara në mënyrë të ligjshme", shprehet ai.

Pas dy operacioneve të mëdha brenda pak ditësh, sinjali që del nga SPAK është i qartë: radha nuk është më vetëm e trafikantëve, por edhe e perandorive të ngritura mbi paratë e tyre.



klodjan braho spak

2 Komente

  1. l
    laloshi

    Zoti Braho! Jo premtime mbi ato ceshtje hetimore qe ju sjellin nderkombetaret! Ok , edhe ato artkuloi i pooor politikanet e karte qe i mbeshtesin ne Shqiperi kete jategori. Kush jua dha lejet e ndertimit pa sqaruar nga vijne parate per ndertimin e tyre????

    Lini një Përgjigje