Juristja dhe aktivistja Edlira Çepani u shpreh se mobilizimi i qytetarëve është pasojë e pakënaqësive të akumuluara ndër vite dhe e mungesës së përfaqësimit të grupeve të ndryshme shoqërore, veçanërisht të të rinjve.
Çepani e cilësoi protestën si një nga lëvizjet më frymëzuese qytetare të dekadave të fundit. Sipas saj, në protestë marrin pjesë qytetarë nga kategori të ndryshme, të cilët ndihen të pavlerësuar dhe të padëgjuar nga institucionet shtetërore.
“Ka njerëz që janë lodhur nga mungesa e vlerësimit dhe respektimit të dinjitetit të tyre. Në protestë shohim të rinj, familje dhe të moshuar, pra përfaqësues të shumë shtresave të shoqërisë”, u shpreh ajo për News24.
Duke komentuar arsyet e rritjes së pakënaqësisë publike në këtë periudhë, Çepani argumentoi se problemet e grumbulluara në fusha të ndryshme kanë arritur një pikë kritike.
Sipas saj, të rinjtë janë ndër grupet që janë ndjerë më pak të përfshirë në politikat publike dhe sot po shprehin pakënaqësitë e tyre përmes protestës.
“Pse tani? Sepse kupa është mbushur në të gjitha fushat e sektorët, gota është derdhur nga pika e fundit. Ka shkuar aty ku nuk mban më, veçanërisht për të rinjtë, që nuk kanë qenë as fokusi i politikave të qeverisë.
Sot këta të rinj po na japin një leksion me protestën për padrejtësitë që u bëhen në jetën e tyre. Njerëzit duhet të dëgjohen më shumë dhe më me seriozitet. Qytetarët janë të kthjellët për gjërat që nuk shkojnë”, tha aktivistja.
Lini një Përgjigje