TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 12:15

Debatet në seancë/ Nga transmetimi live te dalja nga kafazi i xhamtë, 5 kërkesat e Veliajt në GJKKO

Shkruar nga Pamfleti
Debatet në seancë/ Nga transmetimi live te dalja nga kafazi i
Erion Veliaj (ilustrim)

Avokati Plarent Ndreca kundërshtoi mënyrën e zhvillimit të procesit dhe kërkoi garanci shtesë për mbrojtjen e kryebashkiakut të Tiranës

Në seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, mbrojtja paraqiti pesë kërkesa paraprake, të cilat sipas avokatit Plarent Ndreca janë të domosdoshme për garantimin e një procesi të rregullt ligjor.

Ndreca deklaroi para gjykatës se pranimi i këtyre kërkesave do të krijonte kushtet për zhvillimin e procesit në përputhje me standardet kushtetuese dhe procedurale.

Kërkesa e parë kishte të bënte me transmetimin e procesit gjyqësor. Sipas avokatit, nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese që ndalon transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës dhe kufizimi i pranisë së kamerave cenon të drejtën e mediave për të informuar publikun.

Ai kundërshtoi praktikën e ndjekur deri tani në sallën e gjyqit, ku kamerat lejohen vetëm në momentet e para të seancës dhe largohen sapo nis shqyrtimi gjyqësor.

Mbrojtja ngriti gjithashtu shqetësimin për ndërhyrje administrative në proces, duke iu referuar procedurës së marrjes së pëlqimit nga palët për filmimin e seancës.

Një tjetër kërkesë lidhej me mënyrën e vendosjes së Erion Veliajt në sallën e gjyqit. Avokati kërkoi që kryebashkiaku të qëndrojë pranë mbrojtësve të tij dhe jo në kafazin e qelqtë që përdoret zakonisht për të pandehurit.

Sipas Ndrecës, qëndrimi i Veliajt i ndarë nga avokatët cenon prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për të ushtruar një mbrojtje efektive. Ai argumentoi se nuk ekziston asnjë rrezik konkret që do të justifikonte mbajtjen e tij në kafazin e xhamit gjatë zhvillimit të seancave.

Në mbështetje të këtij argumenti, mbrojtja iu referua edhe qëndrimeve të Komitetit të Helsinkit, sipas të cilave përdorimi i strukturave të tilla duhet të mbetet përjashtim dhe jo rregull në proceset gjyqësore.

Kërkesa e tretë kishte të bënte me administrimin e provave. Avokatët deklaruan se ende nuk kanë pasur mundësi të njihen plotësisht me materialet provuese dhe kërkuan kohë shtesë për shqyrtimin e tyre përpara vijimit të procesit.

Sipas mbrojtjes, njohja e plotë me provat është një kusht i domosdoshëm për garantimin e së drejtës së mbrojtjes dhe për përgatitjen e qëndrimeve procedurale në fazat e mëtejshme të gjykimit.

Ndreca ngriti gjithashtu çështjen e dy kallëzimeve të depozituara nga Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbi. Ai deklaroi se SPAK ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me mënyrën se si janë administruar këto kallëzime dhe se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me fazën aktuale të procedimit.

Kërkesa e pestë kishte të bënte me frekuencën e seancave gjyqësore. Mbrojtja kundërshtoi zhvillimin e tyre me ritëm një herë në javë, duke argumentuar se ky afat është i pamjaftueshëm për komunikimin me të mbrojturit dhe për organizimin e mbrojtjes.

Sipas avokatit, ritmi aktual vështirëson përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe kufizon mundësitë për konsultime të rregullta me klientët.

Në përfundim të paraqitjes së tij, Ndreca deklaroi se, përveç pesë kërkesave paraprake, mbrojtja do të paraqesë edhe kërkesa të tjera që lidhen me pavlefshmërinë e disa akteve procedurale të administruara gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor.

Erion Veliaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për vepra që lidhen me korrupsion pasiv në ushtrimin e funksioneve publike dhe shpërdorim detyre, në kuadër të hetimeve për veprime të pretenduara gjatë ushtrimit të detyrës si kryebashkiak i Tiranës.

Debatet në seancë

Plarent Ndreca: Aktet na janë vënë në dispozicion ditën e djeshme, rreth orës 15:00. Kërkojmë të njihemi fillimisht me to dhe më pas të zhvillohet seanca.

Ols Dado: Aktet kanë të bëjnë me të pandehur të tjerë. Ne kemi zbatuar vendimin e gjykatës dhe dokumentacionin ia kemi dërguar dje në paraburgim.

Plarent Ndreca: Kemi depozituar pesë kërkesa nga ana jonë, me qëllim që ky proces të vihet në shina. Një prej tyre është transmetimi live i seancës dhe e kemi përsëritur sërish këtë kërkesë.

Kryetarja e trupit gjykues: Vendimi për këtë çështje është marrë.

Plarent Ndreca: Moslejimi i kamerave përbën cenim të një të drejte kushtetuese që kanë mediat. Kërkojmë të lejohen kamerat të filmojnë seancën. Gjithashtu, kërkojmë që zoti Veliaj të jetë i pranishëm jashtë kafazit, pranë avokatit të tij.Kërkesa tjetër është që të njihemi me provat dixhitale dhe të na jepet mundësia të paraqesim kundërshtimet tona për papërdorshmërinë e tyre.

 

 

veliaj gjkko seance

Lini një Përgjigje