TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 08:13

Mjekësia në zi, ndahet nga jeta pediatri i njohur Edi Tushe

Shkruar nga Pamfleti

Mjekësia në zi, ndahet nga jeta pediatri i njohur Edi Tushe

Ndahet nga jeta mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Edi Tushe. Lajmi i trishtë është bërë publik nga klinika ku ai ushtronte aktivitetin e tij profesional, e cila i kushtoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një profesionist të shkëlqyer dhe një njeri me vlera të rralla njerëzore.

Përgjatë viteve të karrierës së tij, Dr. Tushe ishte pranë mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare, duke fituar respektin dhe besimin e tyre falë përkushtimit të vazhdueshëm dhe kujdesit profesional ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve.

Kontributi i tij në sistemin shëndetësor shqiptar ishte i rëndësishëm edhe përtej praktikës së përditshme mjekësore. Ai konsiderohet një nga figurat që ndihmuan në zhvillimin e shërbimit të neonatologjisë në vend, ndërsa si pedagog luajti një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe formimin e shumë mjekëve të rinj.

Ndarja e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga kolegë, miq dhe pacientë, të cilët e kujtojnë si një mjek të përkushtuar, por edhe si një njeri me integritet, mirësjellje dhe humanizëm.

Mesazhi i plotë i publikuar nga një mik dhe koleg i tij:

Për mikun tim, Dr. Edi Tushe

Sot po shkruaj me zemrën e copëtuar.

Ka ikje që të lënë pa frymë. Ka humbje që nuk pranohen dot. Dhe ka njerëz që janë aq të mirë, aq të dashur, aq të pazëvendësueshëm, sa duket e padrejtë që Zoti t’i thërrasë kaq heret pranë vetes.

Edi ishte njëri prej tyre.

Nuk po qaj vetëm një koleg. Nuk po qaj vetëm një mjek të shkëlqyer. Po qaj një mik të shtrenjtë, një njeri të rrallë, një shpirt të bukur që e bënte botën më të mirë vetëm me praninë e tij.

Sa herë e shihja në klinikë, më dukej sikur gjithçka bëhej më e lehtë. Kishte atë qetësinë e njerëzve të mirë, atë buzëqeshjen e butë që të jepte siguri, atë mirësinë që nuk kishte nevojë të fliste me zë të lartë për t’u ndjerë.

Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë. Dhe zemrat tona mbetën me një plagë që nuk do të mbyllet kurrë plotësisht. Sa shumë njerëz ke ndihmuar. Sa shumë fëmijë ke shëruar. Sa shumë prindër ke qetësuar.

Sa shumë dashuri ke lënë pas. Dhe ndërsa të gjithë flasin për mjekun e madh që ishe, unë dua të kujtoj njeriun e madh që ishe. Njeriun që nuk i bëri kurrë keq askujt. Njeriun që i trajtonte të gjithë me respekt. Njeriun që nuk kurseu kurrë kohë, përkushtim apo zemër për ata që kishin nevojë. Sot lotët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen.

Sepse kur largohet një njeri si ti, nuk humbet vetëm familja, nuk humbasin vetëm miqtë. Humbet një copëz e bukur e kësaj bote. Lamtumirë, miku im. Lamtumirë, shoku im. Lamtumirë, kolegu im i dashur. Por bashkë me dhimbjen do të jetojë edhe mirënjohja që patëm fatin e madh të të kishim në jetën tonë. U prehsh në paqe, Edi.

Ti nuk je më mes nesh, por do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona. Sot qielli fitoi një engjëll, ndërsa ne humbëm një njeri të pazëvendësueshëm. Varrimi bëhet ditën e marte dt.16 Qershor ora.16.00 , organizuar nga Funeral Home ALBA 2000.

Lini një Përgjigje