TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Qershor 2026, 09:26

Odiseu i lidhur pas direkut: mesazhi i koduar i Edi Ramës për ata që duan ta rrëzojnë

Shkruar nga Pamfleti
Odiseu i lidhur pas direkut: mesazhi i koduar i Edi Ramës për ata
Karikatura Pamfleti /

Me metaforën e Odiseut, Rama nuk po fliste me socialistët, por me kundërshtarët e tij të vërtetë. Mes karrotës për Spiropalin dhe lobimit ndaj Berlinit, kryeministri po sinjalizon se nuk ka ndërmend të lërë anijen pa u fundosur bashkë me të.

Përdorja e fabulës së Odiseut tek Iliada, që lidhet me litar në direkun e anijes për të mos dëgjuar sirenat, ndërsa shokëve u mbyllen veshët që të mos dëgjojnë asgjë, ishte një gjetje interesante.

Sepse, në të vërtetë, në Partinë Socialiste nuk ka njeri që dëgjon apo flet pa një plan ose urdhër nga shefi i madh.

Madje kush guxon të dalë jashtë korit shpallet menjëherë armik.

Këtë e bëri të qartë edhe në fjalimin e gjatë dhe të sikletshëm që zgjati më shumë se një orë.

Nëse e sheh me vëmendje atë fjalim, përveç kujdesit për stilin, gjuhën, metaforat dhe simbolikën, Edi Rama ka rimarrë politikisht një figurë të vjetër, të përdorur vite më parë nga Ilir Meta.

Meta, në kohën kur ishte President i Republikës, u tha amerikanëve se do të sakrifikohej si Salvador Allende në Kili nëse do të tentonin ta largonin nga Presidenca.

Kjo nuk ndodhi.

Por të gjithë e mbajnë mend se si përfundoi aventura e tij politike pas largimit nga Presidenca.

Edi Rama, me metaforën e Odiseut të lidhur pas direkut deri në mbërritjen në destinacionin final, Italinë, nuk po fliste me socialistët.

Ai po komunikonte me ata që i konsideron si organizatorët e vërtetë të lëvizjes që kërkon largimin e tij nga pushteti.

Përkatësisht me peshqit e mëdhenj të Bashkimit Europian dhe veçanërisht me gjermanët, që sipas tij ndodhen në qendër të kësaj beteje politike.

Duke folur me ata që ai beson se mbështesin protestat kundër tij, Rama ka dërguar një mesazh të qartë:

Nuk do ta lërë anijen.

Përveçse nëse ajo mbytet bashkë me të.

Me fjalë të tjera, ai po përsërit një nga veset më të njohura të liderëve autokratë, të cilët besojnë se largimi i tyre sjell katastrofë.

Është e njëjta logjikë që përmblidhet në frazën e famshme që i atribuohet Luigjit XV:

“Après moi, le déluge” — pas meje, qameti.

Të njëjtën filozofi përdori edhe Sali Berisha kur i tha gazetarit të Boston Globe, Peter Lukas, se largimi i tij do të sillte destabilizim.

Në një formë më të rafinuar dhe më letrare, Edi Rama po thotë sot të njëjtën gjë.

Nëse duan ta largojnë, duhet të fundosin anijen.

Pra ai po u përgjigjet përpjekjeve për të përçarë Partinë Socialiste, përmes kritikëve të brendshëm dhe kërkesave për largimin e tij.

Siç ndodhi së fundmi me Fatos Tarifën.

Ndërkaq, pasi sulmoi një pjesë të kritikëve të tij, Rama i bëri edhe një ofertë të drejtpërdrejtë Elisa Spiropalit.

Kur përmendi “Marrëveshjen për Shqipërinë”, që ajo kishte hedhur si ide në rrjetet sociale, ai sinjalizoi se është i gatshëm të negociojë.

Ai tha se deri tani nuk e ka parë një dokument të tillë.

Që në përkthim politik do të thotë se dera mbetet e hapur.

Pra po përdor karrotën.

Ndërsa me europianët, dhe veçanërisht me gjermanët, të cilët sipas tij qëndrojnë pas kësaj beteje politike, Rama ka hyrë në një fazë lobimi intensiv.

Intervista për Zvërnecin në Frankfurter Allgemeine Zeitung nuk ishte thjesht një intervistë.

Ajo ishte një lëvizje lobuese me peshë.

Sepse për të arritur deri aty duhen ndërmjetës me ndikim në qarqet financiare dhe politike gjermane.

Dhe sipas shumë gjasave, në këtë lojë po përdoren edhe kontaktet e tij në Izrael.

Nga ana tjetër, amerikanët e Trump ende nuk kanë lëvizur.

Presidenti amerikan ka problemet e veta në SHBA.

Vetëm pak ditë më parë, në ceremoninë e inaugurimit të Obama Presidential Center në Çikago, u panë bashkë figura si Bush, Clinton dhe Biden, por edhe Angela Merkel e Matteo Renzi nga Europa.

Një kombinim që tregon ekzistencën e një fronti të gjerë politik kundër Trumpit.

Prandaj gjasat që Edi Rama të marrë ndonjë ndihmë vendimtare nga kampi trumpist duken të vogla.

Ndërkohë, faktorët europianë duken gjithnjë e më të bashkuar në mbështetjen e çdo faktori që mund ta dobësojë ose ta rrëzojë politikisht në Shqipëri.

Por loja ende nuk ka hyrë në fazën e saj vendimtare.

Përkundrazi.

Duket se jemi ende në aktin e parë./Pamfleti 

odiseu i lidhur pas direkut edi rama

Lini një Përgjigje