Artur Shehu është në kërkim nga Italia e Shqipëria edhe për trafik droge, vrasje e pastrim parash, në bashkëpunim me grupin mafioz italian “Sacra Corona Unita”, madje avokat në Itali ka Ëngjëll Agaçin e Edi Ramës...
Mes 20 të akuzuarve nga SPAK, si pjesë e një grupi trafiku kokaine nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Paraguai, Uruguai, Porto-Riko e Brazili drejt Europës e pastrimi parash në Shqipëri, janë dhe Artur Shehu e Leonard Bishaj nga Vlora.
Emrat e tyre, kanë dalë dhe në hetimin tjetër, që SPAK ka filluar pas protestës për Zvërnecin, me objekt verifikimin e procedurave dhe dokumentave, me të cilat, Artur Shehu ka përfituar dhe shitur tokat e Lagunës në zonën Nartë, Pishë Poro e Zvërnec.

SPAK zbuloi se prej datës 12 gusht 2016, Leonard Bishaj është pajisur me Prokurë të Përgjithshme, si administrator i bizneseve të Artur Shehut në Shqipëri dhe përfaqësues i të gjitha veprimeve juridike me tokat, bankat, kreditimet, tatimet, doganat, kadastrën, gjykatat, kontraktorët, blerësit, noterët, avokatët dhe në të gjitha institucionet shtetërore.
Prokurën e Përfaqësimit Nr. 203, për kryerje veprimesh juridike nga trafikanti Leonard Bishaj, rezulton se mafiozi Artur Shehu e ka firmosur me 12 gusht 2016 në Nicë të Francës, në adresën: 12 Boulevard de la Republique 06240-Beausoleil, që rezulton se është hoteli “Azur”.

Sipas dokumentit, Artur Shehu ka shkuar nga Florida në Nicë të Francës, ku e priste noterja e Shijakut Majlinda Pernoci; por të dhënat e ekspertimit grafik të shkrimit të emrit dhe nënshkrimit, nuk përputhen me shkrimin autenik të Artur Shehut, krahasuar me dokumente të tjera të nëshkruara prej tij.
Prokura e deklaruar si hartim e nëshkrim në Nicë të Francës është vetëm fotokopje, ndërsa Artur Shehu dhe noterja Majlinda Pernoci, sipas burimeve nga BKH, nuk kanë qenë në Francë më 12 gusht 2016.

Nuk është rastësor, shërbimi noterial i noteres Majlinda Pernoci ndaj mafiozit Artur Shehu, por lidhje e saj në ortakëri biznesesh me ortakun e tij Agron Hyseni në subjektet “En Construksion” e “Antik Bar” me qendër në Vlorë.
Prej 29 vitesh, Artur Shehu jeton në Florida si azilant politik dhe nuk mund të dalë nga ai territor, madje nuk mund të futet as në zonën Shengen, sepse është në kërkim nga Italia e Shqipëria, për grabitje tokash në Vlorë me falsifikim dokumentash, trafik droge, vrasje e pastrim parash, në bashkëpunim me grupin mafioz italian “Sacra Corona Unita”.
Bashkëpunëtor me të në këto krime është dhe Leonard Bishaj, personi me prokurë noteriale, që administron bizneset e Artur Shehut në Shqipëri dhe kryen çdo veprim juridik në emër të tij, një prej tyre shitja e tokave që ka grabitur, siç është dhe toka në Zvërnec, madje Artur Shehu, avokat në Itali ka Ëngjëll Agaçin e Edi Ramës./Pamfleti
Lini një Përgjigje