TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia20 Qershor 2026, 10:07

Karteli “Isa Aliu” i fuçisë me 20 milionë Euro droge; nga trafiku i drogës te resortet luksoze dhe vrasja e Mond Mëhallës

Shkruar nga Pamfleti

SPAK zbardh rolin e vëllezërve Aliu në trafikun ndërkombëtar të drogës, pastrimin e miliona eurove në ndërtim dhe lidhjet me një seri ngjarjesh kriminale që shtrihen nga Elbasani deri në bregdetin shqiptar.

Karteli “Isa Aliu” i fuçisë me 20 milionë Euro
Isa Aliu /

Në dosjet e policisë dhe prokurorisë së Elbasanit, Tiranës e Durësit, grupi mafoz familjar “Isa Aliu”, është skeduar për disa pengmarrje, gjobëvënie, dhune fizike, plagosje, dhe dyshime për financim në vrasje të tjera, lidhur me aktivitein krimial të tyre, ndërsa organizator ka qenë Oklido El Ouejdi alias Oklido Aliu...

 Në dosjen e kartelit të trafikut ndërkombëtar të drogës, të goditur nga SPAK me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, si drejtues kryesorë rezultojnë dy vëllezër nga Elbasani dhe anëtarë të familjeve të tyre.

Bëhet fjalë për Salvatore Aliu, alias Shpëtim Aliu, i njohur edhe me nofkat “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktori” dhe “Albo Pelon”, i cili sipas hetimeve siguronte dhe dërgonte në Shqipëri miliona euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Ndërsa vëllai i tij, Isa Aliu, dyshohet se merrej me pastrimin e këtyre parave përmes investimeve në ndërtime pallatesh, kullash, hotelesh dhe resortesh, si dhe nëpërmjet bizneseve të tjera tregtare të krijuara për të justifikuar qarkullimin e kapitaleve me origjinë kriminale.

Pjesë e grupit ishte edhe Oklido Aliu, djali i Isa Aliut dhe nipi i Shpëtim Aliut, i cili sipas dosjes konsiderohet si një nga mbështetësit kryesorë të aktivitetit kriminal dhe si personi që merrej me imponimin dhe përdorimin e dhunës ndaj rivalëve apo kujtdo që cenonte interesat e grupit familjar.

Në mjediset kriminale, por edhe nga qytetarët, biznesmenët dhe strukturat policore të Elbasanit, Oklido Aliu njihej me emrat Oklido El Ouejdi, Kiço dhe Oliver.

Me këto emra ai figuron edhe në dosjen e SPAK, madje edhe në përgjimet ku flitet për fshehjen e 20 milionë eurove të drogës në fuçi të groposura.

Por Oklido El Ouejdi alias Oklido Aliu rezulton i skeduar edhe për vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla, më 30 nëntor 2025 në Elbasan.

Sipas dyshimeve hetimore, ngjarja lidhet me një konflikt për 700 mijë euro të dyshuara si para të ardhura nga trafiku i drogës, të maskuara si borxh.

Kjo shumë financiare, që fillimisht shkaktoi konflikt fizik mes palëve, përfundoi pas dhjetë ditësh në vrasjen e biznesmenit.

Sipas burimeve hetimore, nuk ishte hera e parë që Edmond Mëhalla bashkëpunonte me grupin “Isa Aliu” për investime dhe qarkullim kapitalesh.

Por ishte rasti i vetëm që nuk u mbyll me marrëveshje dhe përfundoi me eliminim fizik.

Pas vrasjes, Oklido Aliu u largua nga Shqipëria nëpërmjet pikës kufitare të Qafë-Thanës.

Sipas të dhënave të dosjes, ai vazhdon të jetë në arrati dhe dyshohet se vazhdon aktivitetin e tij në rrjetin e trafikut dhe pastrimit të parave.

Në dosjet e policisë dhe prokurorive të Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit, grupi familjar “Isa Aliu” figuron i skeduar për një sërë ngjarjesh që lidhen me pengmarrje, gjobëvënie, dhunë fizike, plagosje dhe dyshime për përfshirje në financimin e vrasjeve të tjera.

Sipas hetimeve, organizator dhe ekzekutues i shumë prej këtyre aktiviteteve ka qenë Oklido El Ouejdi alias Oklido Aliu, i njohur edhe me nofkat Kiço dhe Oliver.

Pastrimin e parave të drogës grupi “Isa Aliu” e realizonte kryesisht përmes investimeve në ndërtime luksoze.

Një prej projekteve më të përfolura është resorti “Aliu Road House” në Gjirin e Lalzit, i cili përfshin marina, struktura turistike dhe investime të tjera me vlerë të konsiderueshme.

Sipas dosjes, investime të ngjashme rezultojnë edhe në Sarandë, Himarë, Vlorë, Tiranë dhe Durrës.

Për të fshehur gjurmët e pastrimit të parave, sipas hetimeve, Isa Aliu krijoi në tetor 2024 kompaninë “Sea View Development”.

Kjo shoqëri u themelua vetëm një muaj pasi Byroja Kombëtare e Hetimit kishte dorëzuar materialet paraprake në SPAK.

Sipas dyshimeve të hetuesve, kompania është përdorur si instrument për të vazhduar qarkullimin dhe legalizimin e kapitaleve të dyshuara me origjinë kriminale, duke i maskuar ato përmes investimeve në turizëm, ndërtim dhe pasuri të paluajtshme./Pamfleti

 

karteli \\\'isa aliu\\\' mond mëhalla

Lini një Përgjigje