TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Korrik 2026, 14:14

Botërori 2026/ Sot Argjentinë-Kepi i Gjelbër, sfida e ekstremeve

Shkruar nga Pamfleti
Botërori 2026/ Sot Argjentinë-Kepi i Gjelbër, sfida e ekstremeve
Portieri i Kepit të Gjelbër

Në Florida do të zhvillohet një nga sfidat më interesante të fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës, ku Argjentina do të përballet me Kepin e Gjelbër. Të dyja skuadrat e mbyllën fazën e grupeve pa pësuar humbje, por me rrugëtime krejtësisht të ndryshme.

Argjentina, kampione në fuqi, siguroi kualifikimin me pikë të plota, ndërsa Kepi i Gjelbër, debutues në një Botëror, avancoi më tej pasi regjistroi vetëm barazime në fazën e grupeve. Skuadra e Lionel Scalonit, e renditur e dyta në klasifikimin e FIFA-s, konsiderohet favorite përballë përfaqësueses afrikane, që mban vendin e 67-të dhe cilësohet si "hirushja" e këtij edicioni.

Kjo do të jetë përballja e parë në histori mes dy kombëtareve. Statistikat janë në favor të Argjentinës, e cila ka fituar shtatë ndeshjet e fundit të Kupës së Botës ndaj skuadrave afrikane.

Një tjetër sfidë e kësaj faze është ajo mes Kolumbisë dhe Ganës. Kolumbianët e mbyllën grupin në vendin e parë dhe mbërrijnë në këtë takim të pamposhtur në tetë ndeshje zyrtare, duke u mbështetur te një repart mbrojtës shumë i fortë. Gana, nga ana tjetër, siguroi kualifikimin si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta dhe synon të shfrytëzojë organizimin në mbrojtje, edhe pse vijon të ketë vështirësi në fazën sulmuese. Dy ekipet nuk janë përballur më parë.

Në program është edhe dueli mes Australisë dhe Egjiptit. Australianët kaluan grupin si të dytët falë një mbrojtjeje solide, megjithëse kanë realizuar vetëm dy gola. Egjipti, ndërkohë, ka arritur për herë të parë në histori në fazën me eliminim direkt të një Botërori dhe ka treguar progres në repartin ofensiv, pavarësisht rezultateve të luhatshme në ndeshjet e fundit. Në bilancin e përballjeve direkte, të dyja kombëtaret kanë nga një fitore.

Lini një Përgjigje