Një tentativë për të futur në Shqipëri 46 kilogramë kanabis është goditur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit nga Administrata Doganore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit me skaner të bagazheve të pasagjerëve të një fluturimi me itinerar Toronto–Rinas, u identifikuan dy valixhe që ngjallën dyshime. Pas kontrollit fizik, në prani të poseduesve të tyre, u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis sativa, e ndarë në 89 paketime.
Dy personat që kishin në posedim bagazhet, së bashku me lëndën narkotike të sekuestruar, iu dorëzuan strukturave të Policisë së Shtetit për kryerjen e veprimeve procedurale dhe vijimin e hetimeve.
Administrata Doganore bëri të ditur se operacioni u realizua në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe theksoi se do të vijojë bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.
Lini një Përgjigje