TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Korrik 2026, 22:59

“Faraonët” bëjnë histori përballë ‘kangurëve’ Egjipti mposht me penallti Australinë dhe kalon në çerekfinale

Shkruar nga Pamfleti
“Faraonët” bëjnë histori përballë
Egjipt-Australi

Egjipti ka regjistruar një arritje historike në Kupën e Botës, duke fituar për herë të parë një ndeshje me eliminim direkt në historinë e pjesëmarrjeve të tyre në turne. Skuadra afrikane triumfoi 4-2 ndaj Australisë pas ekzekutimit të penalltive, në ndeshjen e zhvilluar në Dallas, e cila u mbyll 1-1 pas kohës së rregullt dhe shtesave.

Me këtë sukses, "Faraonët" sigurojnë kualifikimin në fazën e 1/8-ave, ku do të përballen me fituesin e ndeshjes mes kampiones në fuqi, Argjentinës, dhe surprizës së turneut, Kepit të Gjelbër.

"Kangurët" e nisën më mirë sfidën, duke krijuar rastet e para me Kristian Volpaton dhe Xhordan Bos, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës. Në të kundërt, Egjipti u tregua më efikas dhe kaloi në avantazh në minutën e 13-të. Karim Hafez harkoi saktë nga krahu i majtë, ndërsa Emam Ashur realizoi me kokë për rezultatin 1-0.

Gjatë pjesës së parë, Egjipti administroi më mirë lojën, mbajti kontrollin e topit dhe krijoi më shumë raste, edhe pse Mohamed Salah u mbajt larg zonës së rrezikshme nga mbrojtja australiane.

Vetëm pak sekonda pas fillimit të pjesës së dytë, Omar Marmush humbi një mundësi të shkëlqyer për të dyfishuar epërsinë. Australia reagoi dhe barazoi rezultatin falë një autogoli të Mohamed Hani, i cili devijoi në portën e tij një goditje dënimi.

Në vijim, të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar golin e fitores. Portieri australian Patrick Beach bëri një pritje vendimtare ndaj goditjes me kokë të Rami Rabias, ndërsa Herri Shutar largoi topin mbi vijën fatale në një tjetër rast të rrezikshëm për Egjiptin. Edhe Mohamed Salah iu afrua golit, por goditja e tij përfundoi mbi traversë.

As koha shtesë nuk solli ndryshim të rezultatit. Australia hodhi në fushë veteranin Metju Rajan pak para përfundimit të lojës, me synimin për të përballuar më mirë serinë e penalltive.

Nga pika e bardhë, Egjipti u tregua i pagabueshëm. Herri Shutar humbi penalltinë e parë për australianët, ndërsa Mohamed Salah realizoi me shumë qetësi një "Panenka". Më pas, gabimi i 18-vjeçarit Lukas Herrington i hapi rrugën Hosam Abdelmaguid, i cili shënoi penalltinë vendimtare dhe vulosi fitoren 4-2.

Ky triumf i siguron Egjiptit një kualifikim historik në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e futbollit egjiptian.

egjipt australi kupa e botës

Lini një Përgjigje