TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2026, 12:54

Berisha uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë: Amerikanët e festojnë më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt

Shkruar nga Pamfleti
Berisha uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë:
Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi historinë dhe kontributin e SHBA-së, duke theksuar se amerikanët e festojnë këtë përvjetor "më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt".

"Sot, 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së

Të dashur miq, sot kombi i madh amerikan feston 250-vjetorin e Pavarësisë së vendit të tij.

Amerikanët e festojnë këtë 250-vjetor më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt, por edhe me një lavdi e krenari si asnjë komb tjetër. Përgjatë këtyre 250 viteve, kombi i lirë amerikan, me gjeninë e tij krijuese, e shndërroi vendin e vet nga një ish-koloni e Mbretërisë së Bashkuar në vendin dhe kombin lider të njerëzimit në politikë, siguri, ekonomi, shkencë, arsim, shëndetësi, teknologji të lartë dhe në çdo fushë tjetër. Por, mbi të gjitha, në vendin lider të lirisë në botë. Prandaj, ky 250-vjetor është një ngjarje e madhe për mbarë njerëzimin liriadashës.

Për ne shqiptarët, kombi i madh amerikan dhe qeveria e SHBA-së kanë pasur, në disa momente kyçe, një rol përcaktues në historinë e lirisë së kombit tonë: në shpëtimin e Shqipërisë nga ata që donin ta fshinin nga faqja e dheut, si dhe në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Zoti i bekoftë SHBA-në, kombin dhe flamurin e tyre krenar", shkruan Berisha.

Kujtojmë se, në vitin 2021, Sali Berisha u shpall "non grata" nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion dhe minim të demokracisë. Disa javë më parë, administrata e Presidentit Donald Trump i hoqi ndalimin për të udhëtuar drejt territorit amerikan.

1 Komente

  1. G
    Gimi

    Sigurisht që e festojne te lire dhe te begate, sepse nuk bejne zgjedhje me lista te mbyllura, dhe nuk legalizojne pronat e grabitura.

    Lini një Përgjigje