TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Korrik 2026, 14:35

Botërori 2026/ Kanadaja synon historinë në 1/8-at, trajneri i afrikanëve: Gabimi më i vogël na dërgon në shtëpi

Shkruar nga Pamfleti
Botërori 2026/ Kanadaja synon historinë në 1/8-at, trajneri i
'Yjet' e Kanadasë dhe Marokut

Kanadaja ka shkruar tashmë një kapitull historik në Botërorin 2026, por synon ta bëjë atë edhe më të madh. Pasi kaloi për herë të parë fazën e grupeve dhe eliminoi Afrikën e Jugut në raundin e 1/16-ave, përfaqësuesja kanadeze do të luajë sonte, në orën 19:00, ndeshjen e parë në historinë e saj në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës.

Megjithatë, përballë do të ketë Marokun, një nga skuadrat që po konfirmohet si surpriza më e madhe e këtij edicioni.

Përfaqësuesja afrikane vjen si favorite në këtë sfidë, sidomos pas suksesit ndaj Holandës, të cilën e eliminoi pas goditjeve të penalltive. Megjithatë, trajneri Mohamed Ouahbi ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra e tij.

Para sfidës në Hjuston, ai deklaroi se "gabimi më i vogël do të na kthejë në shtëpi", ndërsa shtoi se Maroku do të japë maksimumin për të shkuar sa më larg dhe për të përsëritur befasinë e arritur në Botërorin e vitit 2022.

Edhe Kanadaja është e vetëdijshme për vështirësinë e përballjes. Trajneri Jesse Marsch e cilësoi sfidën ndaj Marokut si "një makth", duke pranuar se skuadra e tij ndihet e nënvlerësuar. Sipas tij, pikërisht ky perceptim shërben si motivim shtesë për futbollistët kanadezë.

Në renditjen më të fundit të FIFA-s, Kanadaja mban vendin e 30-të, ndërsa Maroku renditet i shtati në botë.

Skuadra që do të triumfojë në këtë përballje do të sigurojë një vend në çerekfinale, ku do të ndeshet me fituesin e sfidës mes Paraguait dhe Francës.

maroku kanadaja

Lini një Përgjigje