Nga skandali i ryshfeteve 80-milionëshe në Kolumbi, te projektet e reja në Tiranë. Pse ka hije dyshimi mbi rolin e ish-kryeministrit italian si “ndërmjetës jozyrtar” i gjigantit të anijeve ushtarake në kantierin strategjik të Pashalimanit...
Në kantierin detar të Pashalimanit u nënshkrua pak ditë më parë një Memorandum Mirëkuptimi trepalësh midis gjigantit italian Fincantieri, kompanisë shqiptare KAYO (nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes) dhe Institutit “Pavarësia” të Vlorës, për të nisur module trajnimi dhe stazhe në ndërtimin e anijeve.
Kjo marrëveshje thuhet se hedh themelet për zhvillimin e aftësive profesionale në Mekanikë, Inxhinieri Elektrike dhe TIK, duke përgatitur stafin lokal me njohuritë teknologjike të Grupit italian.
Po ashtu, pretendohet se ky projekt industrial synon modernizimin radikal të Pashalimanit, duke e shndërruar atë në një qendër të specializuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Anijeve Patrulluese në Det të Hapur (OPV) për Marinën Shqiptare dhe tregjet rajonale.
Por pas kësaj fasade zyrtare të suksesit industrial fshihet një hije e rëndë që të çon direkt tek lidhjet e ngushta të politikës italiane me industrinë e mbrojtjes. Personazhi kyç që lidh këto fije është ish-kryeministri italian Massimo D’Alema.
I njohur prej vitesh si një lojtar me ndikim të jashtëzakonshëm në korridoret e industrisë ushtarake publike në Itali, D’Alema ka pasur gjithmonë raporte preferenciale dhe ndikim
të fortë mbi drejtuesit e kompanive më të mëdha të mbrojtjes, përfshirë këtu gjigantin e aeronautikës Leonardo dhe pikërisht edhe kompaninë e ndërtimit të anijeve, Fincantieri.
Emri i D’Alemës si ndërmjetës apo “sekser”, i kalibrit të lartë në tregtinë e armatimeve shpërtheu publikisht gjatë skandalit të bujshëm të shitjes së armëve në Kolumbi. Zyra e prokurorit të Napolit dhe divizioni DIGOS nisën një hetim ndërkombëtar për korrupsion me rrethanë rënduese, nën dyshimet se një grup i organizuar kriminal në disa vende (Itali, SHBA, Kolumbi) kishte tentuar t'i shiste qeverisë kolumbiane avionë ushtarakë M 346 të Leonardo-s dhe korveta e nëndetëse të Fincantieri-t.
Vlera totale e kësaj marrëveshjeje marramendëse kapte shifrën e mbi 4 miliardë eurove. Hetimet zbuluan se D’Alema kishte vepruar si “ndërmjetës informal”, duke përdorur peshën e tij politike për të lidhur konsulentët me ish-drejtorin e Leonardo-s, Alessandro Profumo, dhe ish-shefin e divizionit të Anijeve Detare të Fincantieri-t, Giuseppe Giordo.
Skema e zbuluar nga magjistratët italianë parashikonte një “tarifë suksesi” prej 2 për qind mbi vlerën totale të kontratës, çka do të thoshte një komision fshehës prej 80 milionë eurosh.
Ky ryshfet i madh ishte planifikuar të ndahej në mënyrë të barabartë: 40 milionë euro për “palën kolumbiane” (zyrtarë publikë dhe ushtarakë) dhe 40 milionë euro për “palën italiane”, ku bënte pjesë rrethi i ndërmjetësimit të D’Alemës.
Paratë do të kaloheshin përmes kontratave të simuluara të një firme ligjore në Miami, Robert Allen Law e prezantuar nga vetë D’Alema. Ndonëse marrëveshja e Kolumbisë dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit mbi ndarjen e parave mes sekserëve përpara se paratë të kalonin materialisht, hetimet gjyqësore zgjatën për më shumë se një vit.
Në fund, Gjykata e Napolit vendosi arkivimin e çështjes për D'Alemën dhe të dyshuarit e tjerë. Megjithatë, ky pushim i hetimit erdhi kryesisht për arsye procedurale dhe për faktin teknik se krimi i korrupsionit nuk u konsumua plotësisht meqenëse pakti u ndërpre rrugës, dhe jo sepse u vërtetua pafajësia apo pastërtia morale e rolit të tij si sekser ndërkombëtar.
Por ky menaxhim me hije skandalesh nuk është një rast i izoluar për Fincantieri-n vetëm
në marrëdhëniet me Kolumbinë apo Shqipërinë. Vetëm pak kohë më parë, drejtori i përgjithshëm i ”Fincantieri Bay Shipbuilding” në SHBA, Craig Perciavalle, u pezullua urgjentisht nga detyra pasi u padit nga prokurorët federalë amerikanë dhe Komisioni i Letrave me Vlerë (SEC).
Perciavalle akuzohet për një skemë të rëndë mashtrimi elektronik dhe manipulimi të raporteve financiare, ku ka fshehur qëllimisht kostot e vërteta të ndërtimit të anijeve luftarake për ushtrinë amerikane.
Ky precedent në SHBA tregon qartë se gjiganti i anijeve ushtarake ka një historik të vazhdueshëm problemesh ligjore me zyrtarët e tij, çka ngre pikëpyetje të mëdha se me
çfarë standardesh dhe me çfarë garancie po i besohet Ficantieri Pashalimani i Shqipërisë.
Këtu nis dhe ngrihet dyshimi i madh legjitim që lidh aferat e vjetra të ish-kryeministrit italian me realitetin e ri shqiptar. Është një fakt botërisht i njohur që Massimo D’Alema është një nga miqtë më të ngushtë, këshilltarët dhe mbështetësit më të flaktë të Edi Ramës në skenën politike italiane.
Sa herë që Rama ka pasur nevojë për lobim apo mbrojtje politike në Romë, D’Alema ka qenë aty. A është vallë thjesht një “rastësi e çuditshme” që pikërisht Fincantieri - kompania ku D’Alema lëvizte fijet e ndërmjetësimit prej miliona eurosh - vjen sot në Shqipëri dhe merr nën dorë ekskluzivitetin e kantierit strategjik ushtarak të Pashalimanit përmes një kompanie të re si “Fincantieri Albania”?
Në tregun e industrisë ushtarake dhe të infrastrukturës strategjike, asgjë nuk ndodh pa ndërmjetësim. Nëse në rastin e Kolumbisë skema e D’Alemës funksiononte met një përqindje fikse prej 2 për qind si tarifë suksesi për të futur dhjetëra miliona euro në xhep, pyetja që lindi natyrshëm në Shqipëri është: sa është përqindja e ndërmjetësimit në pazarit e Pashalimanit?
Dhe nese Massimo D’Alema, si miku i ngushtë i kryeministrit shqiptar, siguron pjesën e tij të majme si sekser i kësaj kontrate strategjike, po miku i tij Edi Rama, çfarë përfiton? A po përdoret pasuria kombëtare dhe siguria detare e Shqipërisë si një plaçkë tregtie për të shpërblyer miqtë e vjetër të politikës italiane, duke ngritur dyshime të forta se pas fasadës së “trajnimit të studentëve”, fshihet një tjetër pazar i madh komisionesh sekrete në kurriz të taksapaguesve shqiptarë?/Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje