
Tetë anije ndryshuan papritur kurs gjatë përpjekjes për të kaluar Ngushticën e Hormuzit, duke reflektuar pasigurinë që vijon të mbizotërojë në një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Sipas të dhënave të platformës së gjurmimit detar MarineTraffic, të paktën pesë anije, mes tyre dy transportues automjetesh, një cisternë kimikatesh, një cisternë produktesh nafte dhe një transportues mallrash, kryen kthesa të mprehta në formë U pranë brigjeve të Omanit gjatë orëve të para të ditës.
MarineTraffic thekson se këto lëvizje sugjerojnë se, pavarësisht shenjave të para të rikthimit të trafikut tregtar, vështirësitë në kalimin e Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë.
Ndërkohë, autoritetet iraniane vijojnë të këmbëngulin se anijet duhet të kenë lejen e Teheranit për të lundruar në korridoret e përcaktuara të ngushticës. Megjithatë, një numër në rritje anijesh po zgjedhin një itinerar më pranë brigjeve të Omanit, duke reduktuar ndikimin e Iranit mbi këtë rrugë ujore strategjike.
Sipas të njëjtave të dhëna të MarineTraffic, edhe tre anije të tjera, dy cisterna nafte dhe kimikatesh si dhe një transportuese mallrash, fillimisht u kthyen mbrapsht, por më pas ndryshuan sërish kurs dhe kaluan ngushticën më pranë bregdetit iranian.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë botërore, pasi përmes saj transportohet rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Lini një Përgjigje