
Protesta e 35-të mbarëkombëtare kundër qeverisë dhe klasës politike, e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, u mbyll me një mesazh për vazhdimin e mobilizimit.
Tubimit iu bashkuan qytetarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, duke i dhënë protestës një karakter mbarëkombëtar.
Pas marshimit nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë dhe fjalimeve të mbajtura nga aktivistë, përfaqësues të diasporës dhe qytetarë, organizatori Edison Lika mori fjalën në mbyllje të protestës.
"Në shtator do të jemi më të shumtë", u shpreh ai teksa shtoi me vendosmëri se tubimet do të vijojnë.
Aktivisti Lika deklaroi me bindje se protestat pritet të vijojnë edhe pas sezonit veror, megjithëse nuk dha detaje nëse tubimet do të ndërpriten gjatë dy muajve të verës apo do të vazhdojnë sipas një kalendari të ri.
Gjatë protestës së sotme, pjesëmarrësit marshuan me pankarta, flamuj kombëtarë dhe banderola, ndërsa brohoritën slogane kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe ndryshime në sistemin politik.
Pjesëmarrja e diasporës, e cila iu bashkua për herë të dytë tubimit, ishte një nga elementët më të spikatur të protestës së 35-të.
Lini një Përgjigje