Putini ndjek skenarin e "Wag the Dog", por me një lumë që nuk ekziston
Në filmin "Wag the Dog", satirën e njohur politike me Dustin Hoffman dhe Robert De Niro, një president amerikan shpik një luftë në Shqipëri për të larguar vëmendjen e mediave dhe opinionit publik nga skandalet e tij personale.
Vladimir Putin bën të kundërtën. Me një luftë të vërtetë që vazhdon prej vitesh dhe që po bëhet gjithnjë e më vdekjeprurëse për ushtarët rusë, presidenti rus duket se ka zgjedhur të shpikë një vend për të mbështetur versionin e tij të ngjarjeve.
Në një intervistë për televizionin shtetëror Vesti, Putin deklaroi se një grup prej 5.000 ushtarësh ukrainas ishte pranë rrethimit nga forcat ruse në lumin Stary Oskol.
"Ata janë bllokuar në bregun e majtë", tha ai, duke shtuar se Divizioni i 144-të kishte nisur rrethimin përfundimtar të Rubtsit, një fshat me rreth 350 banorë në rajonin e Donetskut.
Megjithatë, ka një problem: lumi Stary Oskol nuk ekziston.
Në hartën e Ukrainës, Stary Oskol nuk është lumë, por një fshat në rajonin rus të Belgorodit. Lumi që ekziston quhet Oskol dhe kalon në rajonin e Kharkivit, çka e bën deklaratën e Putinit edhe më të paqartë.
As situata në terren nuk përputhet me këtë version. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) deklaron se nuk ka asnjë tregues që forcat ruse po rrethojnë njësi ukrainase në zonën e Kharkivit, aq më pak pranë lumit Oskol.
Kjo tregon një ndryshim në mënyrën se si Kremlini ndërton narrativën e luftës. Nuk bëhet më fjalë vetëm për propagandë klasike, por për atë që historiani Ian Garner e quan "slopaganda": një lumë rrëfimesh kontradiktore, të pasakta ose të rreme që, duke u përsëritur vazhdimisht, përfundojnë duke u paraqitur si realitet.
Kjo sjell ndër mend edhe fjalët e shkrimtarit rus Josif Brodsky, i cili shkruante se në mesin e shekullit XIX "letërsia ruse, duke ndjekur realitetin, përfundoi duke e arritur atë". Sot, nuk bëhet fjalë për letërsi, por për një narrativë që synon të zëvendësojë vetë realitetin, me pasoja të drejtpërdrejta në një luftë që vazhdon të marrë jetë njerëzish.
Paradoksi më i madh, sipas artikullit, është se i pari që mund t'i besojë këtij realiteti të ndërtuar është vetë Vladimir Putin, i izoluar në rrethin e ngushtë të Kremlinit dhe i bindur se fitorja është tashmë shumë pranë. /Përshtatur nga "Corriere della Sera"
Lini një Përgjigje