TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Korrik 2026, 09:04

A po përgatitet Izraeli të ndërtojë sërish vendbanime në Gaza?

Shkruar nga Pamfleti
A po përgatitet Izraeli të ndërtojë sërish vendbanime
Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kanë dhënë sinjalet më të forta deri tani se qeveria mund të shqyrtojë ndërtimin e vendbanimeve të reja hebraike në Rripin e Gazës, pas gati tre vitesh lufte shkatërrimtare.

Smotrich deklaroi se ministria e tij ka përgatitur plane për tre vendbanime në veri të Gazës dhe se zbatimi i tyre varet vetëm nga miratimi i Netanyahut. Një ditë më vonë, i pyetur në një intervistë televizive nëse kjo ishte një mundësi reale, Netanyahu nuk e përjashtoi idenë, duke u përgjigjur se preferon “të veprojë sesa të flasë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye, edhe çdo përpjekje për të ndërtuar vendbanime në Gaza do të përballej me kundërshtime të forta ndërkombëtare.

Pjesa veriore e Gazës është shkatërruar pothuajse tërësisht nga operacionet ushtarake izraelite, duke krijuar, sipas mbështetësve të vendbanimeve, hapësirë për ngritjen e një zone tampon mes Izraelit dhe Gazës. Gaza kishte 21 vendbanime izraelite deri në vitin 2005, kur Izraeli vendosi t’i çmontonte ato gjatë tërheqjes nga territori.

Ekspertë dhe organizata ndërkombëtare kanë akuzuar Izraelin për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare gjatë luftës në Gaza. Sipas tyre, janë vrarë dhjetëra mijëra palestinezë, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera kanë ngritur shqetësime për urinë, krizën humanitare dhe sulmet ndaj civilëve, përfshirë fëmijët. Izraeli i kundërshton akuzat për gjenocid dhe thotë se operacionet e tij ushtarake synojnë Hamasin.

Profesori izraelit Neve Gordon, duke folur për Al Jazeera-n vlerëson se deklaratat e Smotrich synojnë kryesisht elektoratin e djathtë në prag të zgjedhjeve. Sipas tij, një pjesë e opinionit publik izraelit mbështet rikthimin e vendbanimeve në Gaza, ndërsa në politikën izraelite ekziston prej kohësh një rrymë që kërkon rivendosjen e tyre.

Organizata e ekstremit të djathtë Nachala ka zhvilluar prej muajsh fushata dhe konferenca që promovojnë rikthimin e kolonëve izraelitë në Gaza. Në këto aktivitete kanë marrë pjesë edhe ministra të qeverisë, përfshirë Smotrich dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.

Analistët politikë besojnë se deklaratat për vendbanimet lidhen edhe me fushatën zgjedhore. Partia e Smotrich rrezikon të mos kalojë pragun elektoral në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Netanyahu përballet me procese gjyqësore për akuza korrupsioni dhe me kritika për mënyrën sesi qeveria trajtoi ngjarjet e 7 tetorit.

Sipas disa analistëve izraelitë, premtimet për zgjerimin e vendbanimeve dhe kontrollin më të madh mbi Gazën synojnë të forcojnë mbështetjen e votuesve të djathtë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse planet do të realizohen. Një hap i tillë pritet të shkaktojë reagime të forta ndërkombëtare. Deri tani, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë kritikuar zgjerimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara, por kritikët thonë se presioni praktik ndaj Izraelit ka qenë i kufizuar.

Sipas analistit Hugh Lovatt, që nga viti 2023 është shënuar zgjerimi më i madh i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor që prej viteve 1990, ndërsa reagimi ndërkombëtar ka qenë kryesisht verbal. Ai shton se ndërtimi i vendbanimeve edhe në Gaza mund të shtojë presionin diplomatik ndaj Izraelit, megjithëse mbetet e pasigurt nëse kjo do të shoqërohej me masa konkrete. /Al Jazeera

gaza lufta izrael-palestine

Lini një Përgjigje