TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Korrik 2026, 09:49

Trump merr rolin e paqebërësit, telefonatë 90-minutëshe me Putin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti

Zelensky mesazh Trump përpara samitit të NATO-s në Turqi, për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Trump merr rolin e paqebërësit, telefonatë 90-minutëshe me
Putin dhe Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike 90-minutëshe me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës ofroi ndihmën e tij për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.

Sipas Ushakovit, biseda u zhvillua të shtunën, në prag të pjesëmarrjes së Trumpit në samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi.

"Presidenti amerikan konfirmoi edhe një herë gatishmërinë e tij për të punuar drejt përfundimit sa më të shpejtë të luftimeve dhe për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës," deklaroi Ushakov.

Ai e cilësoi bisedën si "profesionale dhe mjaft konstruktive", duke shtuar se Rusia vazhdon të kërkojë "një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit, duke marrë parasysh qasjen themelore të Rusisë".

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me presidentin Trump.

Në një postim në Telegram, Zelensky e përshkroi bisedën si "shumë të mirë", duke bërë të ditur se diskutuan edhe situatën përgjatë vijës së frontit prej rreth 1.200 kilometrash.

"Ekziston një mundësi reale për t'i dhënë fund kësaj lufte dhe vendosmëria amerikane do të ketë një rëndësi vendimtare," shkroi ai.

Sipas Zelenskyt, të dy liderët ranë dakord të vazhdojnë diskutimet gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s.

Nga ana tjetër, Ushakov akuzoi Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë se po "llogaritin në zgjatjen dhe madje përshkallëzimin e konfliktit", duke iu referuar sulmeve ukrainase me rreze të gjatë ndaj objektivave në territorin rus, kryesisht infrastrukturës së industrisë së naftës, të cilat sipas Moskës kanë shkaktuar mungesa karburanti në disa rajone.

Në zhvillimet në terren, Ukraina hodhi poshtë pretendimin e Rusisë se forcat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin strategjik të Kostyantynivkës, një nga bastionet kryesore të mbrojtjes ukrainase në rajonin lindor të Donetskut.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase deklaroi për AFP se qyteti vazhdon të jetë nën kontrollin e forcave ukrainase, ndërsa Zelensky e cilësoi pretendimin rus si "gënjeshtër".

"Nëse Kostyantynivka do të ishte nën kontrollin rus, atëherë ndoshta Putini nuk do ta kishte problem të takohej me mua atje për të gjetur një rrugë diplomatike që do t'i jepte fund kësaj lufte," shkroi presidenti ukrainas në rrjetet sociale.

Zëdhënësi ushtarak Andriy Kovalyov pranoi se grupe të vogla ushtarësh rusë kanë depërtuar në disa pjesë të qytetit, por theksoi se luftimet vazhdojnë dhe se Kostyantynivka mbetet nën kontrollin e Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës.

Në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se trupat ruse ndodhen "në të gjitha pjesët e qytetit".

Një ditë më parë, presidenti Putin, i veshur me uniformë ushtarake, falënderoi trupat ruse për marrjen e Kostyantynivkës, qytet që para luftës kishte rreth 78 mijë banorë dhe që Moska përpiqet ta pushtojë prej muajsh.

Ndërkohë, Rusia njoftoi se Ukraina kreu një valë sulmesh me dronë ndaj disa objektivave në rajonin e Shën Petersburgut. Sipas autoriteteve ruse, dronët goditën një terminal nafte, një port pranë kufirit me Finlandën dhe ranë edhe në kompleksin historik Peterhof, pa shkaktuar dëme.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, deklaroi se mbrojtja ajrore rrëzoi 72 dronë, ndërsa njëri prej tyre u rrëzua në zonën e Peterhofit pa shkaktuar viktima apo dëme materiale.

Moska paralajmëroi se do t'u përgjigjet sulmeve, duke pretenduar se gjatë natës rrëzoi afro 500 dronë ukrainas dhe 10 raketa të tipit Flamingo.

Sulmet ukrainase erdhën vetëm pak ditë pasi një bombardim rus ndaj Kievit vrau 30 persona, në një nga sulmet më të rënda të javëve të fundit.

Presidenti Zelensky deklaroi gjithashtu se forcat ukrainase goditën bazën detare ruse në Kronstadt, pranë Shën Petersburgut. Ukraina ka shtuar sulmet ndaj territorit rus gjatë muajve të fundit, duke goditur objektiva deri në rajonin e Uraleve, larg vijës së frontit, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së vazhdueshme ruse.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 62 dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit rus.Sipas autoriteteve ruse, një person humbi jetën në rajonin kufitar të Bryanskut dhe një tjetër në Krimenë e aneksuar nga Rusia. Ndërkohë, autoritetet në rajonin e Belgorodit raportuan dëmtime në infrastrukturë, të cilat shkaktuan ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ujë.

trump merr rolin e paqebërësit

1 Komente

    Lini një Përgjigje