TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Korrik 2026, 18:34

“Puç” brenda LDK-së? Një grup delegatësh kërkojnë shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit!  

Shkruar nga Pamfleti
“Puç” brenda LDK-së? Një grup delegatësh
Lumir Abdixhiku

Që nga mesi i kësaj jave, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohet të hidhet në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Sipas mediave në Kosovë, për thirrjen e mbledhjes nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit, ndërsa më pas kërkesa për shkarkimin e kryetarit mund të vihet në votim. Burime për “Koha”, kanë bërë të ditur se deri më tani nuk janë siguruar 118 nënshkrimet e nevojshme nga gjithsej 355 delegatë.

Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Javën e kaluar, dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan dhe Dega e II në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke e arsyetuar kërkesën me rezultatin e dobët zgjedhor. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Abdixhiku nga ana tjetër, kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, për rezultatin e dobët në këto degë. Më pas, ai deklaroi se Kuvendi i LDK-së do të mblidhet në vitin 2027, në mbledhjen e rregullt.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, por më 31 janar Kuvendi i LDK-së e refuzoi atë kërkesë.

 

 

lumir abdixhiku ldk

Lini një Përgjigje