TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Korrik 2026, 17:56

'Përgjaket' 250-vjetori i pavarësisë në SHBA/ Të shtëna me armë në Nju Jork, plagosen 8 persona; 4 prej tyre të mitur

Shkruar nga Pamfleti
'Përgjaket' 250-vjetori i pavarësisë në SHBA/
Oficerët e NYPD-së punojnë në vendin e ngjarjes ku tetë persona, përfshirë katër fëmijë, u qëlluan gjatë një barbeque më 4 korrik në lagjen Coney Island të Brooklyn. Kyle Mazza/Anadolu/Getty Images

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Nju Jorkut gjatë festimeve për 250 vjetorin e pavarësisë së Amerikës, ku tetë persona, mes tyre katër fëmijë, mbetën të plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj tyre në lagjen Coney Island të Brooklynit.

Autoritetet thanë se agresori hapi zjarr në oborrin e një shtëpie ku po zhvillohej një barbeque, përpara se të largohej në këmbë.

Sipas komisioneres së Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), Jessica Tisch, ngjarja ndodhi rreth orës 22:35 të së shtunës. Një person i paidentifikuar, i veshur tërësisht me të zeza dhe me maskë ski, iu afrua gardhit përgjatë Surf Avenue dhe qëlloi disa herë drejt oborrit ku ishte mbledhur familja.

Policia gjeti tetë persona të plagosur: katër djem të moshës 6, 7, 12 dhe 14 vjeç, dy gra 21 dhe 25 vjeç, si dhe dy burra 33 dhe 37 vjeç.

Sipas autoriteteve, gruaja 21-vjeçare dhe burri 33-vjeçar u plagosën në gjoks, ndërsa djali 6-vjeçar u godit në bark. Tre fëmijët e tjerë u plagosën në këmbë ose në kofshë.

Gruaja 21-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, ndërsa shtatë të plagosurit e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e dënoi sulmin, duke theksuar se dhuna e tillë nuk ka vend në qytet.

"Nuk ka vend për këtë lloj dhune në qytetin tonë. Ne nuk do ta tolerojmë atë dhe do ta luftojmë me çdo mjet që kemi në dispozicion. Ndërsa vajtojmë përkrah atyre, të dashurit e të cilëve janë lënduar, le të angazhohemi për të ndërtuar një qytet ku çdo festë të jetë e sigurt dhe e gëzueshme", deklaroi ai.

Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e viktimave dhe ende nuk kanë konfirmuar motivin e sulmit. Sipas policisë, nuk ka të dhëna që në festë të ketë pasur ndonjë konflikt para të shtënave.

Megjithatë, komisionerja Tisch bëri të ditur se javën e kaluar, në të njëjtin bllok, ndodhi një vrasje e lidhur me aktivitetin e bandave dhe hetuesit po verifikojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve.

Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një armë zjarri e tipit TEC-9 me karikator të zgjatur, si dhe 10 gëzhoja të shkrepura. Deri tani nuk është arrestuar asnjë i dyshuar.

Ndërkohë që pak orë më vonë, një tjetër incident me armë u regjistrua në lagjen Crown Heights të Brooklynit. Një detektiv i NYPD-së u qëllua rreth orës 04:00 të mëngjesit të së dielës, ndërsa policia po përballej me një 18-vjeçar të armatosur që iu afrua automjetit të tyre të pashënuar.

Sipas autoriteteve, plumbi goditi pjesën e pasme të jelekut antiplumb të detektivit, i cili nuk pësoi lëndime serioze. Një oficer tjetër u plagos në fytyrë dhe në shpatull. I dyshuari u neutralizua me një armë elektrike (taser), u çarmatos dhe u arrestua. Hetimet për të dyja incidentet vijojnë.

shba armë plagosje

Lini një Përgjigje