Ka përfunduar protesta e ditës së 37-të para godinës së Kryeministrisë, e cila edhe këtë të diel u shoqërua me fjalime, thirrje kundër qeverisë dhe marshimin tradicional në rrugët e kryeqytetit.
Pas përfundimit të fjalimeve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", qindra qytetarë nisën marshimin drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku përcollën mesazhe kundër institucioneve që, sipas tyre, ushtruan dhunë ndaj protestuesve gjatë tubimeve të mëparshme.
Gjatë marshimit nuk munguan thirrjet "Rama jepe dorëheqjen", "Rama ik", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg, Berisha në burg", "Revolucion" dhe "Atdheu është i yni", të cilat kanë shoqëruar protestën prej javësh.
Pas ndalesës para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, protestuesit u rikthyen para godinës së Kryeministrisë, duke mbyllur aty ditën e 37-të të protestës.
Në përfundim të tubimit, organizatorët njoftuan se protesta nuk do të ndalet dhe u bënë thirrje qytetarëve të rikthehen sërish nesër në bulevard, për të vijuar mobilizimin që prej më shumë se një muaji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.
Me mbylljen e protestës së sotme, qytetarët kanë lënë takim për ditën e nesërme, duke konfirmuar vijimin e protestave të përditshme para Kryeministrisë.
Lini një Përgjigje