
Irani dhe Katari kanë rifilluar zyrtarisht transportin detar tregtar mes dy vendeve, duke i dhënë fund një ndërprerjeje rreth pesëmujore të shkaktuar nga konflikti në rajon. Lajmi u konfirmua të dielën nga atasheu tregtar i Iranit në Doha, Abbas Abdolkhani, sipas mediave shtetërore iraniane.
Rifillimi i lundrimit tregtar vjen pas marrëveshjes së përkohshme të arritur muajin e kaluar mes Teheranit dhe Uashingtonit, e cila i dha fund armiqësive pas një konflikti katërmujor dhe parashikoi rikthimin e lëvizjes detare në nivelet e para luftës në Gjirin Persik. Megjithatë, qarkullimi detar në rajon mbetet ende i ndjeshëm për shkak të situatës së sigurisë.
Sipas Abdolkhani, linja detare mes portit iranian Dayyer dhe portit Al Ruwais në Katar është rikthyer në funksion pas koordinimit ndërmjet Ambasadës së Iranit në Doha dhe autoriteteve të Katarit.
Të dy portet, të vendosura përballë njëri-tjetrit në brigjet e Gjirit Persik, shërbejnë kryesisht për tregtinë rajonale. Porti iranian i Dayyer ishte goditur disa herë gjatë konfliktit, çka solli pezullimin e aktivitetit tregtar.
Shenja të rikthimit të normalitetit në tregtinë rajonale u shfaqën edhe në fund të muajit qershor, kur një zyrtar i Organizatës për Promovimin e Tregtisë së Iranit njoftoi se mallrat iraniane kishin rifilluar të zhdoganoheshin në portin Jebel Ali të Emirateve të Bashkuara Arabe, porti më i madh tregtar në rajon.
Rifillimi i lëvizjes së mallrave mes Iranit, Katarit dhe vendeve të tjera të Gjirit Persik shihet si një tregues i rikuperimit gradual të aktivitetit ekonomik pas muajve të tensioneve dhe përplasjeve ushtarake në rajon.
Lini një Përgjigje