Një qytetare që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë deklaroi se është përballur me masa disiplinore në vendin e punës pasi mori pjesë në protestat kundër qeverisë.
Sipas saj, menjëherë pas pjesëmarrjes në një prej tubimeve, ajo u thirr përpara komisionit disiplinor dhe mori paralajmërim për largim nga puna.
"Në momentin që dola në protestë, më thirrën në komision disiplinor dhe më dhanë paralajmërim për pushim nga puna", deklaroi ajo para protestuesve.
Në vijim të fjalës së saj, qytetarja u bëri thirrje punonjësve të administratës publike që të mos kenë frikë të shprehin qëndrimet e tyre dhe t'u bashkohen protestave.
"Hiqeni frikën, mësues, infermierë, policë. Sot është dita për t’u zgjuar, jo për të fjetur", u shpreh ajo.
Deklaratat e qytetares për masën disiplinore të marrë pas pjesëmarrjes në protestë janë pretendime të bëra prej saj dhe nuk janë konfirmuar nga institucioni ku ajo deklaron se punon.

Gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, një protestues mbajti një fjalim ku kërkoi ndryshim politik dhe kritikoi ashpër qeverisjen aktuale.
Ai e cilësoi protestën si një “luftë për dinjitet”, ndërsa ngriti një sërë pyetjesh lidhur me sektorë të ndryshëm publikë si shëndetësia, arsimi dhe punësimi. Ai tha se 6 deputetë të PS-së janë gati të dërgojnë në votëbesim qeverinë.
“Kjo është një luftë për dinjitet,. Ai na quan dështakë, Po shëndetësia falas? Po arsimi cilësor? Po rendi e siguria? Po 300 mijë vende pune? Nuk do të mbaronte lista nëse do t’i numëronim të gjitha. Kam një thirrje për deputetët e PS dhe PD, ata pak që kanë një fije dinjitet. Ju e dini që rënia e Ramës është fikja e karrierës suaj.
6 deputetët të PS kanë shprehur vullnet të heqin dorë e të çojnë në votëbesim qeverisë. Po të vjen ora! Ne po bëjmë historinë. Për një Republikë për njerëzit e jo një individ që sillet si tiran”, tha ai.

Ditën e sotme po mbahet protesta e 36-të radhazi para Kryeministrisë. Qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik. Teksa mbaheshin fjalime para Kryeministrisë, një qytetare kishte një kërkesë ‘të veçantë’ për kryeministrin Edi Rama. Ajo i bëri thirrje që të mos i ulej më në gjunjë kryeministres italiane Giorgia Meloni.
“Mirëmbrëma atdhe, nga brenda kam një mllef. Zoti Edi Rama, mjaft iu ule Melonit në gjunjë si një bisht fshese e prishur. Por kërkoji falje popullit dhe populli do të falë.
Por ti s’qenke njeri, paske qenë tamam i krimbur. Gjithë këto nëna, gjithë këta bijë nënash, janë të lodhur”, tha mes të tjerash protestuesja.
Albion Nikolli, një nga protestuesit e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar më 2 korrik para Kuvendit, është liruar këtë të shtunë pas katër ditësh qëndrimi në komisariat.
Pas lirimit, ai mori pjesë në protestën e zhvilluar në mbrëmje para Kryeministrisë, ku falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë ditëve që ai dhe protestues të tjerë ndodheshin në paraburgim. Në fjalën e tij, Nikolli u shpreh se protestuesit nuk janë kundër rendit kushtetues, por kërkojnë, sipas tij, rikthimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
"Dua të them se protestuesit, ata djem, nuk janë huliganë. Nuk janë kundër ligjit e rendit kushtetues; janë kundër autokracisë. Janë për demokracinë, për shtetin ligjor, për ta kthyer Shqipërinë në shinat demokratike.
Ata duan që Shqipëria të mos jetë e kapur nga mafia, të mos u shitet oligarkëve vendas. Nuk janë heronj. Ju jeni heronj që keni ardhur çdo ditë në protestë. Faleminderit që erdhët të na mbështesni. Na keni dhënë një energji të jashtëzakonshme. Heronj janë ata që protestojnë, ata që qëndrojnë për të drejtat në përditshmëri.", deklaroi Nikolli.
Më pas, ai bëri edhe një pretendim lidhur me sjelljen e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ndodhej në komisariat, duke thënë se disa prej tyre i kishin shprehur mbështetje protestuesve.
"Policët na e kanë thënë gjithë kohës, edhe kur na arrestuan edhe në komisariat, që janë me ne. Edhe ata janë të shtypur nga sistemi. Nuk u paguhen orët shtesë dhe u vidhen tenderat e uniformave.", u shpreh ai.
Pretendimet e Albion Nikollit për deklaratat e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk janë konfirmuar nga autoritetet.

Gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, aktivisti dhe avokati shqiptar nga Londra, Bledar Meti mbajti një fjalim ku kritikoi ashpër qeverinë dhe kërkoi ndryshime politike.
Ai u shpreh se protestuesit janë të bashkuar kundër, siç tha ai, “autoritarizmit” dhe kërkoi fundin e tranzicionit politik në vend.
“Të gjithë bashkë kundër Lukanshenkos së Shqipërisë dhe autoritarit të fundit. Nuk kërkojmë më shumë e as më pas se fundin e tranzicionit dhe procese demokratike. Bindju zërit të protestuesve. Dorëheqje! Hapni rrugën ajkës së Shqipërisë, të bëhet një qeveri teknike”, tha ai.
Një prej aktivisteve pjesëmarrëse në protestën e zhvilluar në Tiranë deklaroi se tubimi i një dite më parë ka pasur jehonë në mediat ndërkombëtare dhe, sipas saj, ka sjellë reagime edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së saj para protestuesve, ajo vlerësoi pjesëmarrjen në protestë dhe tha se zëri i tyre ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.
"Jemi në ditën e tretë të diasporës. Jemi dëshmitarë të protestës së djeshme madhështore dhe që pati jehonë në mediat ndërkombëtare. Reagime pati në BE dhe Amerikë, si pasojë e vullnetit tonë. Tregoi se zëri ynë ka shkuar përtej", u shpreh aktivistja.
Ajo theksoi gjithashtu rolin e diasporës në organizimin e protestave, duke deklaruar se mobilizimi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit do të vijojë.
"Shqiptarët dhe diaspora bashkë do ta heqin këtë kryeministër dhe të gjithë establishmentin", deklaroi ajo.
Pavarësisht sezonit veror dhe pritshmërive për një zbehje të mobilizimit, organizatorët deklarojnë se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht se me nisjen e sezonit veror u mendua se protestat do të humbnin intensitetin ose do të ndërpriteshin përkohësisht, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë dhënë një mesazh të qartë: mobilizimi nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Lajm i keq ky për kreun e qeverisë.
Me thirrjen "Nuk ka ndalim të protestave", qytetarët u mblodhën sërish këtë mbrëmje në sheshin "Skënderbej", prej nga marshuan drejt Kryeministrisë për të vijuar protestën kundër qeverisë.
Gjatë gjithë marshimit dhe pas mbërritjes para godinës së Kryeministrisë, protestuesit brohoritën vazhdimisht "Rama, jepe dorëheqjen!", duke e bërë këtë thirrjen kryesore të tubimit. Në kor u dëgjuan edhe parulla si "Shqipëria kërkon revolucion", "Rama në burg, Berisha në burg", "Poshtë patronazhistët" dhe "Shqipëri e re!", të shoqëruara me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit.
Organizatorët ritheksuan se protesta nuk është një aksion i izoluar, por pjesë e një mobilizimi që, sipas tyre, do të vijojë edhe në javët në vijim. Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe diasporës që t'u bashkohen protestave të ardhshme, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit.
Marshimi u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, me praninë e forcave të Policisë së Shtetit përgjatë itinerarit dhe pranë godinës së Kryeministrisë.
Protesta e kësaj mbrëmjeje vjen vetëm pak ditë pas tubimit të 2 korrikut, i cili u shoqërua me përplasje mes një pjese të protestuesve dhe policisë. Gjatë ditës së sotme, një pjesë e të arrestuarve u liruan me vendim të Gjykatës së Tiranës, ndërsa organizatorët e konsideruan këtë zhvillim si një arsye më shumë për të vijuar mobilizimin dhe për të mos hequr dorë nga protestat.
Aktivisti Arben Kola deklaroi para nisjes së protestës, se tubimet e organizuara prej tyre kanë qenë paqësore, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sipas Kolës, gjatë 35 ditëve të protestave janë shkaktuar më pak dëme materiale sesa, sipas pretendimeve të tij, në ambientet e Kryeministrisë.
"Protestat tona janë paqësore. Në 35 ditë kemi thyer më pak xhama se Edi Rama në zyrën e tij", u shpreh ai.
Më tej, aktivisti vijoi me deklarata të ashpra ndaj kryeministrit, duke pretenduar se ai "po thyen gjithçka që i del përpara".
"Duhet ta dinin që Edi Rama duhet të ishte në spital. Manipuloi gjithçka dhe u bë kryeministër. Sipas informacioneve nga Kryeministria, ai po thyen gjithçka që i del përpara. Kështu që protestuesit në 35 ditë kanë thyer më pak xhama se Edi Rama në zyrën e tij. I është prishur algoritmit. Ka kaluar në çmenduri totale. Duhet të vazhdojmë kështu. Për pak kohë mund të kalojë në çmenduri. Mund të dëgjojmë lajmin që hidhet nga dritarja", deklaroi Kola.

Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër pushtetit, protestuesit kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje: "Rama ik!", "Rama jep dorëheqjen!", "Rama në burg, Berisha në burg!", "Shqipëri e re!" dhe "Ju erdhi fundi!"...
Ka nisur zyrtarisht dita e 36-të e protestës qytetare. Pas grumbullimit në Sheshin Skënderbej, qindra qytetarë kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës kundër qeverisë.
Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër pushtetit, protestuesit kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje: "Rama ik!", "Rama jep dorëheqjen!", "Rama në burg, Berisha në burg!", "Shqipëri e re!" dhe "Ju erdhi fundi!".
Vlen të theksohet se protesta e sotme vjen pas tubimit kombëtarë të mbajtur dje, ku mijër qytetarë pushtuan bulevardin, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar tre ditë më parë.
Kujtojmë se organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.
Edhe pse protesta nisi më shumë se një muaj më parë si një revoltë kundër projektit turistik në Zvërnec, ajo është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë klasës së vjetër politike.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit këmbëngulin se protesta nuk është më vetëm kundër një projekti të caktuar, por për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes dhe të sistemit politik në vend.
Aktivisti Arben Kola ka deklaruar se protestat kundër qeverisë do të vijojnë deri në arritjen e objektivit të tyre, që sipas tij është dorëheqja e qeverisë. Ai theksoi se organizatorët nuk kanë ndërmend të ndalin mobilizimin, ndërsa paralajmëroi se protesta do të organizohen rregullisht edhe me pjesëmarrjen e mërgatës.
"Protesta vazhdon deri në ditën që bie qeveria. Qytetarët të mos bien pre e provokimeve. Nuk ka ndalim protesta, pavarësisht se ka kampionat botëror, europian apo galaktik. Protesta vazhdon deri në përmbushjen e qëllimeve. Pika e parë dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje. Mobilizimi me mërgatën do bëhet çdo 1 apo 2 javë. Protesta vazhdon deri në rrëzimin e kësaj palo qeverie", u shpreh Kola.
Duke komentuar incidentet e ndodhura në përfundim të protestës, Kola pretendoi se organizatorët kishin bërë thirrje që tubimi të ishte paqësor dhe se aktet e dhunës nuk ishin kryer nga protestuesit.
"Sa i përket nismëtarëve, një ditë më parë e deklaruam se protesta do të jetë paqësore, pavarësisht investimit të qeverisë që nxit njerëz për dhunë. Jemi deklaruar hapur që protesta mbaron këtu, kush ka dëshirë të qëndrojë le të qëndrojë. Ata që gjuajtën mbrëmë janë elementë të sponsorizuar nga qeveria. I ka rënë algoritmi. Qeveria sado mundohet nuk do ja dalë. Rinia nuk manipulohet, çdo tentativë për njollosje nuk do arrihet. Çdo nismë që sulmohet nga Edi Rama është e suksesshme", deklaroi ai.
Në vijim të reagimit të tij, Kola përsëriti pretendimin se autorët e incidenteve nuk kishin lidhje me organizatorët e protestës.
"Ne kemi qenë pranë Kryeministrisë. Dhe ata që kanë qenë aty, thuhej 'jo dhunë'. Janë një grupim i sponsorizuar nga qeveria apo grupe mafioze pranë qeverisë. Ne do vazhdojmë paqësisht", tha Kola.
Lini një Përgjigje