Me thirrjet; “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe pankarta në duar, qytetarët kanë vijuar marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit...
Ka përfunduar protesta e 32-të e qytetarëve para godinës së Kryeministrisë. Me përfundimin e fjalimeve dhe kërkesave të tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama, protestuesti kanë nisur marshimin e përnatshëm rrugëve të Tiranës.
Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe pankarta në duar, qytetarët kanë vijuar marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.
Si në çdo protestë tjetër këtë 1 muaj, nuk kanë munguar as sonte pankartat pikante të mbushura me ‘meme’ thumbuese drejtuar Ramës, Qeverisë dhe kastës së vjetër politike.
Në mbyllje të tubimit, nga podiumi u përsërit thirrja për mobilizim edhe më të madh në protestën e së martës para Kuvendit, me organizatorët që theksuan se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të saj dhe ndryshimin e sistemit aktual qeverisës.

Një i ri ka folur gjatë protestës së 31-të qytetare para Kryeministrisë. Ai u shpreh se vendi është përballur prej dekadash me kriza, afera dhe ngjarje të rënda që kanë ndikuar te qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, i riu renditi disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të viteve të fundit, duke i lidhur ato me situatën aktuale në vend dhe duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve.
“Jam këtu për 36 vite agoni që kanë ulur në gjunjë dhe kanë marrë zvarrë tre gjenerata. Firmat piramidale, ‘97, “21 Janari”, Gërdeci, armët kimike, Bela me 300 shtëpi, Diella miliardere, pensionet dhe rrogat më të ulëta në Europë, ministra të korruptuar, uji dhe dritat”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi u bëri apel pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë gjatë tubimit dhe të mos përfshihen në incidente.
“Mos bini pre e provokimeve, nëse shihni njerëz që mendoni se po provokojnë largohuni. Mos ua lejoni t’ju mbajnë peng, janë bashkë prej 36 viteve, ne duhet të bëhemi bashkë një herë të vetme”, deklaroi qytetari.

Protestës së 31-të qytetare në Tiranë iu bashkua edhe një emigrante shqiptare, e cila prej 30 vitesh jeton në Greqi.
Gjatë fjalës së saj para protestuesve, ajo tha se kishte ardhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës në vend dhe deklaroi se dëshiron të rikthehet në Shqipëri për të jetuar.
Sipas saj, protesta nuk është vetëm kundër kryeministrit Edi Rama, por synon të përcjellë shqetësimet e qytetarëve për të ardhmen e vendit. Emigrantja u shpreh gjithashtu se protestuesit kanë treguar përmbajtje dhe kanë zhvilluar tubimin në mënyrë paqësore.
“Kam 30 vite që jetoj në Greqi, por kam rrënjë shqiptare dhe dua të kthehem këtu për një jetë më të mirë, që mund ta jetojmë së bashku. Kjo protestë nuk është vetëm për Edi Ramën, por për të gjithë. Burrat shqiptarë i quanin agresivë, por kanë kaq ditë të palodhur dhe në paqe”, tha protestuesja.
Në vijim të fjalës së saj, emigrantja deklaroi se qytetarët kanë dalë në protestë për shkak të pakënaqësive dhe i bëri thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen.
“Në 2026 njerëzit janë këtu nga zemërimi. Boll në mjerim, populli nuk të do më, si e mban karrigen me zor? Si të zë gjumi? Populli u zgjua, Shqipëria ishte në errësirë, por tani do të nxjerrë dritë edhe për botën sepse jemi kërthiza e Ballkanit”, u shpreh ajo.
Një aktivist shqiptar që jeton në Gjermani ka mbajtur një fjalim të fortë në ditën e 31-të të protestës para Kryeministrisë, duke akuzuar Policinë e Shtetit se po merret me protestuesit, ndërsa, sipas tij, personat që duhet të hetohen ndodhen në qeveri.
Nga podiumi i protestës, ai tha se në vendet demokratike protestat vetëm njoftohen dhe nuk pengohen nga policia, ndërsa njoftoi se do të qëndrojë gjatë natës para godinës së Kryeministrisë në shenjë proteste.
"Sot u zgjova në orën 10:00 në Mynih dhe pashë protestues që tërhiqeshin zvarrë vetëm sepse protestuan paqësisht. Ata që protestuan janë sot mes nesh. Policia duhet ta kuptojë se kriminelët janë brenda zyrës së Kryeministrisë dhe jo duke protestuar në shesh. Aksidenti është një tragjedi kombëtare, ndërsa policia është më e angazhuar me protestuesit sesa me ata që duhet të hetojë", u shpreh ai.
Aktivisti renditi edhe emra ish- dhe aktualë zyrtarësh, duke pretenduar se policia po kërkon personat e gabuar.
"Kriminelët që ulen në tavolinën e Këshillit të Ministrave, policia i kërkon mes nesh. Erion Veliaj, Olta Xhaçka, Vangjush Dako, Jurgis Çyrbja, Arben Ahmetaj, Sajmir Tahiri e të tjerë. Meqë policia e di se protesta vetëm njoftohet, unë po them publikisht se sonte nuk do të ndahem nga shkallët e Kryeministrisë. Kush të dojë, le të bashkohet", deklaroi aktivisti.
Fjalimi i tij u prit me brohoritje nga protestuesit, ndërsa protesta vijoi me thirrjet e zakonshme "Rama ik", "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".
Incidente mes protestuesve, një vajze i hidhet lëng në kokë
Një incident është shënuar mbrëmjen e sotme gjatë protestës së 31-të qytetare para Kryeministrisë, ku një vajzë u përball me reagimin e një grupi protestuesish, të cilët e akuzuan se ishte provokatore dhe patronazhiste.
Sipas asaj që u pa në vendngjarje, disa protestues iu afruan vajzës duke i kërkuar të largohej nga tubimi, ndërsa situata u tensionua për disa çaste mes thirrjeve dhe debatit verbal.
Gjatë incidentit, një prej protestuesve i hodhi në kokë një shishe me lëng, ndërsa të pranishmit vijuan ta akuzonin si provokatore.
"Poshtë patronazhistët! Mos bini pre e provokimeve! Sot treguam që as Policia e Shtetit nuk na provokon dot, jo më një patronazhist. Këta njerëz kanë treguar që nga dita e parë se nuk bien pre e provokimeve. Betejën e kemi vetëm me Edi Ramën”, shprehej një prej folësve.
Pas disa minutash tension, turma e largoi vajzën nga zona ku po zhvillohej protesta dhe situata u normalizua, pa u shënuar incidente të tjera.
Protesta vijoi më pas normalisht para Kryeministrisë, me fjalimet e organizatorëve dhe thirrjet e zakonshme "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".

Mjeku Ilir Allkja ka mbajtur një fjalim me tone të ashpra në ditën e 31-të të protestës para Kryeministrisë, ku ka renditur atë që i cilësoi si premtimet e pambajtura të qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar largimin e tij nga pushteti.
Në fjalën e tij, Allkja u ndal fillimisht te patronazhistët dhe akuzoi kryeministrin për gjuhën e përdorur ndaj qytetarëve.
"Përshëndes patronazhistët dhe spiunët që nuk na janë ndarë asnjë ditë. Jemi në këtë shesh edhe për dinjitetin tuaj, sepse në Shqipërinë e lirë do të jetoni me dinjitet dhe jo duke spiunuar njerëzit e punës. Sot Rama e shthuri gjuhën dhe u bë mashkulli më i padenjë që ka qenë ndonjëherë në karrigen e kryeministrit. Unë jam sovrani dhe kam të drejtë t'i kërkoj llogari Edi Ramës", tha Allkja.
Më tej, mjeku renditi një sërë premtimesh elektorale të qeverisë, duke akuzuar Ramën se ka dështuar në sektorët më të rëndësishëm.
"Premtove shëndetësi falas dhe sot shqiptarët paguajnë 60 për qind të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre. Premtove ujë 24 orë, por shumica e qyteteve ende nuk kanë furnizim të pandërprerë. Çfarë bëre në katër mandate? Blejmë ushqimet më shtrenjtë se të gjithë. Premtove rilindje në arsim, por mjafton të shohësh rezultatet e testit PISA. Premtove mbrojtjen e territorit dhe sot e ke dhënë nga veriu në jug", deklaroi ai.
Fjalimi i Allkjas u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, të cilët edhe në ditën e 31-të vijuan thirrjet "Rama ik", "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".
Protestuesit e mbledhur në ditën e 31-të të protestës qytetare kanë paralajmëruar një tjetër aksion për mëngjesin e së nesërmes, këtë herë përpara godinës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Nga tribuna e ngritur para Kryeministrisë, organizatori Edison Lika bëri të ditur se në orën 10:00 protestuesit do të mblidhen përpara SPAK-ut, ku do të dorëzojnë simbolikisht librin "The Albanian Files", të cilin e cilësuan si një provë që duhet të hetohet nga organi i akuzës.
"Do të vijojmë me aksionet paradite. Në orën 10:00 do të jemi te SPAK-u për të dërguar armën e krimit 'The Albanian Files'. Ajo do të sigurojë burgosjen e Edi Ramës. Jeni të lutur ta firmosni të gjithë në këtë shesh, që ta kuptojnë se ajo armë krimi mban firmën e secilit prej nesh", deklaroi Lika.
Pas thirrjes së organizatorëve, protestuesit nisën të firmosin simbolikisht kopjen e librit, i cili pritet t'i dorëzohet SPAK-ut gjatë aksionit të paralajmëruar për ditën e nesërme.
Njoftimi u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa organizatorët theksuan se protesta do të vijojë me aksione të përditshme, duke shtuar presionin ndaj institucioneve për hetimin e aferave që, sipas tyre, përfshijnë qeverinë.
Luçjana Koka: Deputetët ikën nga Parlamenti në vend që të mbronin qytetarët
Një nga protestueset aktive të lëvizjes qytetare, Luçjana Koka, ka lëshuar akuza të forta jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, duke e akuzuar se ka braktisur protestuesit gjatë incidenteve të paradites para Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj në ditën e 31-të të protestës para Kryeministrisë, Koka tha se deputetët e opozitës, të cilët sipas saj deklarojnë se mbështesin protestën, nuk ishin pranë qytetarëve kur disa prej tyre u shoqëruan nga policia.
"Do kisha një pyetje për të gjithë deputetët e opozitës, që gjoja janë solidarizuar shumë me protestën dhe herë pas here pretendojnë se e mbështesin. Ku ishit sot kur protestuesit u morën zvarrë përpara Parlamentit? Ku ishit sot kur protestuesit u shoqëruan padrejtësisht? Pse nuk ngritët zërin në Parlamentin e Shqipërisë, por u larguat nga ajo sallë ashtu siç bëni gjithmonë? Kjo është arsyeja pse ne nuk e duam as PD-në dhe as PS-në. Nuk e duam këtë klasë të vjetër politike që prej 36 vitesh na ka marrë peng jetën, vendin dhe të ardhmen tonë", u shpreh Koka.
Protestuesja tha se ngjarjet e së enjtes para Kuvendit treguan, sipas saj, fytyrën e vërtetë të institucioneve shqiptare edhe përballë eurodeputetëve që morën pjesë një ditë më parë në protestë.
"Nuk kishin se si ta prezantonin më keq fytyrën e tyre përpara eurodeputetëve, të cilët erdhën dje në mbështetje të protestës dhe të së drejtës. Ata nuk vonuan t'u tregonin se kush janë me të vërtetë dhe si i trajtojnë qytetarët e tyre. Nëse para një muaji njërin prej nesh e mori zvarrë policia private dhe policia e shtetit heshti, madje ne ndjemë edhe keqardhje për efektivët kur morën spray djegës në sy, sot policia e shtetit bëri të njëjtën gjë. U bë palë me krimin duke na tërhequr zvarrë neve", deklaroi ajo.
Fjalimi i Luçjana Kokës u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, në një tjetër mbrëmje ku thirrjet kryesore mbetën: "Rama ik", "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".

Protesta e 31-të qytetare para Kryeministrisë u shoqërua me deklarata të forta edhe nga aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila iu drejtua protestuesve nga podiumi, duke komentuar zhvillimet e protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit.
Vatnikaj u shpreh se protestuesit kanë zhvilluar tubime paqësore gjatë 31 ditëve të fundit, ndërsa pretendoi se pavarësisht kësaj, disa prej tyre u shoqëruan dhe u trajtuan me dhunë nga policia.
“Për 30 ditë me radhë i kemi thënë Policisë së Shtetit se jemi këtu paqësisht. 6 shokët tanë u tërhoqën zvarrë vetëm sepse protestuan, ju themi ne nuk jemi kriminelë, kriminelë janë shefat tuaj që bashkëpunojnë me krimin. Kriminel është kryeministri i vendit që bashkëpunon me krmin. Kriminele është qeveria e Edi Ramës që është e gjitha në SPAK”, tha ajo.
Në vijim të fjalës së saj, aktivistja deklaroi se ndërhyrja e policisë tregon frikën e autoriteteve dhe theksoi se protestuesit do të vazhdojnë të dalin në shesh.
“Dhuna që kanë ushtruar sot tregon vetëm frikën e tyre, sa më shumë frikë ata aq më shumë guxim ne. Sa më shumë të na rrihni e tërhiqni zvarrë do të vijmë më shumë këtu”, u shpreh ajo.
Në fund të fjalimit, Vatnikaj u shpreh se protesta synon një ndryshim paqësor dhe u bëri thirrje autoriteteve të mos provokojnë qytetarët.
“Jemi këtu për një Shqipëri të re ku policia dhe qeveria nuk drejtohen nga krimi. Ku policia nuk na tërheq zvarrë. Jemi për revolucion paqësor, mos na provokoni”, tha aktivistja.

Aktivisti Edison Lika mbajti fjalën para Kryeministrisë gjatë protestës së 31-të qytetare, ku deklaroi se protestuesit ruajtën qetësinë pavarësisht, sipas tij, provokimeve nga policia.
Ai tha se pjesëmarrësit në protestë arritën të shkonin për herë të parë pranë Parlamentit, ndërsa akuzoi deputetët se shmangën përballjen me qytetarët.
Lika u shpreh se protesta do të vijojë dhe përsëriti kërkesën për dorëheqje, ndërsa deklaroi se punonjësit e Policisë së Shtetit janë, sipas tij, të keqpërdorur dhe se protestuesit nuk i konsiderojnë kundërshtarë.
"Protesta nuk ra pre e provokimeve të policisë. Pavarësisht se tentuan të na provokonin, nuk ramë pre, derisa u detyruan të na sulmojnë. Pasi na sulmuan, u detyruan të ulin kokën dhe të hapin derën. Sepse kanë kuptuar se kjo protestë shënon fundin e tyre", tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, aktivisti tha se deputetët nuk u përballën me protestuesit dhe përsëriti akuzat ndaj mazhorancës.
"Sot për herë të parë kishim mundësi të shkonim para Parlamentit dhe t'u jepnim mundësi të zgjedhurve të na shohin në sy. Nuk na panë dot. E patë si u fshehën? Si miu në qark. Kanë frikë të na shohin në sy. Nuk janë të zgjedhurit tanë. Janë të zgjedhurit e krimit, oligarkëve", shtoi Lika.
Në fund të fjalimit, aktivisti Lika falenderoi protestuesit dhe u ndal edhe te roli i Policisë së Shtetit.
"Sot ne rezistuam përsëri paqësisht dhe ju treguam se jemi më të fortë se ata, edhe më të drejtë se ata. Edhe një herë kërkojmë dorëheqje. Për sot falënderojmë policinë, sepse kur ka raste të tilla e duam më shumë njëri-tjetrin. Policia e Shtetit është e burgosura e parë e këtij shteti. Kjo fitore na ka bërë më të fortë dhe na ka treguar se jemi në rrugën e duhur", përfundoi ai.
Një nga organizatorët e protestave qytetare, Arben Kola, është distancuar nga incidentet e ndodhura paraditen e sotme para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë tubimit të mbrëmjes para Kryeministrisë, Kola deklaroi se për 31 ditë me radhë protestat janë zhvilluar në mënyrë paqësore falë menaxhimit nga Grupi Koordinues, por shtoi se situata ka ndryshuar dhe se organizatorët nuk do të mbajnë më përgjegjësi për veprimet e protestuesve.
"Deri më sot populli ka protestuar në mënyrë paqësore. Ne nuk kemi qenë për dhunë. Prej sot populli duhet të protestojë në mënyrë të pavarur, ne nuk mbajmë më përgjegjësi. Nuk mbajmë përgjegjësi, sepse sot atyre u hyri tmerri kur panë koshin dhe në atë kosh kandidati i parë ishte Taulant Balla. Tao Balla, Balluku që është kandidate për burg, kryemafiozi Edi Rama... dhe i zuri tmerri", tha Kola.
Deklarata e tij vjen pas tensioneve të regjistruara paraditen e së dielës para ambienteve të Kuvendit, ku pati përplasje me policinë dhe disa protestues u shoqëruan në komisariat.
Protesta ka vijuar më pas normalisht para Kryeministrisë, ku qytetarët kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.

Qytetarët vijuan protestën e 31-të me marshim drejt Kryeministrisë, ndërsa pankartat me slogane dhe mesazhe politike u kthyen në një nga elementët më të spikatur të tubimit.
Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe këtë mbrëmje, duke hyrë në ditën e 31-të. Ashtu si në ditët e mëparshme, qytetarët dhe aktivistët u mblodhën fillimisht në sheshin "Skënderbej", prej nga nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Pas mbërritjes para Kryeministrisë, protestuesit do të mbajnë fjalimet e tyre, ku përsërisin edhe kërkesat drejtuar qeverisë. Në përfundim të tyre, marshimi vijoi në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Krahas thirrjeve dhe fjalimeve, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën edhe pankartat e mbajtura nga protestuesit. Me slogane ironike, fotomontazhe dhe mesazhe politike, ato u kthyen në një nga elementët më të spikatur të protestës.
Një prej pankartave mbante mbishkrimin "Wanted", ndërsa një tjetër i drejtohej Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me mesazhin në anglisht: "SPAK, what are you waiting for? Justice can't wait", duke kërkuar veprim nga organi i akuzës.
Në pankarta të tjera shkruhej: "31 ditë. Rama poston. Balluku shijon. Populli proteston" dhe "Populli dhunohet, Balluku nderohet", ndërsa një tjetër përcillte mesazhin: "Sa më shumë na përqeshni, aq më shumë rritemi. Populli nuk përqeshet. Ai zgjohet!"
Protestuesit mbanin edhe pankarta me thirrje për dorëheqje, si "We know what you did… Dorëhiqu", ndërsa një tjetër rikthente në vëmendje tragjedinë e Gërdecit dhe debatet për investimet strategjike me sloganin: "Dje na vranë me shpërthime, sot na vjedhin me 'investime'".
Mes mesazheve të ekspozuara ishte edhe pankarta me mbishkrimin "35 vjet pushtet. Tre emra. Një fat: Llogaridhënia", e shoqëruar me fotomontazhe të figurave politike, si dhe një tjetër me thirrjen: "O Ramë, bën mirë të dëgjosh, ndryshe këtu do përfundosh!"
Pankartat u shoqëruan me brohoritje dhe flamuj kombëtarë gjatë gjithë marshimit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.













Me pankarta në duar dhe thirrjet e përhershme “Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit kanë hapur protestën e 31-të radhazi...
Dita e 31-të i ka gjetur sërish protestuesit në shesh duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Qindra qytetarë janë mbledhur fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas kanë nisur marshimin e tyre në drejtim të Kryeministrisë.
Me pankarta në duar dhe thirrjet e përhershme “Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit kanë hapur protestën e 31-të radhazi. Kjo protestë vjen vetëm pak orë pasa asaj të organizuar para Kuvendit gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Gjatë protestës para Kuvendit pati tensione mes protestuesve dhe policisë pasi këta të fundit sulmuan makinat e deputetëve me vezë. Kjo bëri që policia më pas të shoqëronte disa prej protestuesve. Por ky veprim nuk i ndaloi qytetarët e tjerë që të shkonin para komisariatit të policisë dhe të protestonin për lirimin e protestuesve.
Ndërkohë që mbrëmjen e sotme mbetet për t’u parë nëse do të ketë përshkallëzim dhe përplasje edhe para Kryeministrisë, apo do të vijohet me skenarin e përnatshëm.
Qeveria rishikon buxhetin, Rama shton fondet pas 'tërmetit' nga protestat...
Edi Rama është hedhur në sulm për të ndalur pakënaqësinë në radhët e qytetarëve. Me mijëra qytetarë kanë një muaj që protestojnë kundër arrogancës së kësaj qeverie dhe kjo e ka shqetësuar Bablokun.
Përveç strategjisë së sulmit, duke intimiduar dhe linçuar figura të caktuara të protestuesve, Rama ka vënë në lëvizje ministrat, për të kënaqur votuesin tradicional socialist: pensionistët dhe administratën.
Pak ditë më parë, qeveria vendosi të indeksojë pensionet me 2.7 për qind. Edhe pse është një shumë qesharake, lëvizja u interpretua si rritje pensioni, në një kohë kur në vend vlojnë protestat. Po ashtu, pati kredi të buta për administratën.
Mirëpo kjo nuk është lëvizja e vetme, pasi sot Rama e ka shtuar dozën e reagimit. Qeveria ka miratuar sot rishikimin e buxhetit, duke shtuar 20.1 miliardë lekë në të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara.
Një nga ndryshimet kryesore është përshpejtimi i indeksimit të pensioneve. Në vend që rritja të hynte në fuqi më 1 tetor, pensionet do të indeksohen nga 1 korriku 2026. Për këtë është vënë në dispozicion një fond prej 872 milionë lekësh, që mbulon efektin financiar të indeksimit me 2.7%. Por jo vetëm kaq, pensionistët do të përfitojnë edhe një bonus vere prej 5 mijë lekësh, i cili nis të shpërndahet nga nesër. Pra, duket qartë që është një skemë manipulative.
Rishikimi i buxhetit parashikon gjithashtu dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, nga e cila do të përfitojnë mbi 10 mijë fëmijë. Për këtë masë janë akorduar 750 milionë lekë, ndërsa 674 milionë lekë të tjera do të përdoren për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.
Sektori i shëndetësisë përfiton rreth 4.5 miliardë lekë shtesë. Paketa financiare përfshin 1.5 miliardë lekë për furnizimin me barna onkologjike, 150 milionë lekë për rritjen e pagave të personelit të urgjencës mjekësore, si dhe 700 milionë lekë për pajisje të reja spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale të shëndetësisë.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit përfiton rreth 750 milionë lekë shtesë për financimin e arsimit bazë, teksteve falas dhe investimeve në shkolla e universitete, ndërsa Ministrisë së Brendshme i shtohen 664 milionë lekë për Policinë e Shtetit, Gjendjen Civile dhe shërbime të tjera.
Mbështetje shtesë parashikohet edhe për biznesin dhe bujqësinë. Garancia sovrane rritet nga 3 në 5 miliardë lekë dhe do të zgjerohet përtej sektorit bujqësor.
Duket qartë që Rama kërkon të ndërhyjë te të gjithë sektorët, me shpresën se revolta do të shuhet. Mirëpo ata që janë aty e dinë se kjo skemë nuk funksionon. Shumë nga këto para dihet se do të vidhen dhe prandaj protestojnë qytetarët. /Pamfleti

Protesta qytetare në kryeqytet po vijon edhe sot, duke hyrë në ditën e 31-të radhazi. Aktivistë dhe qytetarë kanë nisur të mblidhen në sheshin "Skënderbej", aty ku edhe është caktuar pika e grumbullimit.
Ashtu si në protestat e mëparshme, tubimi ka nisur në orën 19:00. Pas grumbullimit, pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalimet kryesore.
Gjatë protestës, qytetarët do të parashtrojnë kërkesat e tyre, ndërsa në përfundim të tubimit është parashikuar një marshim në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre.
Gjatë protestës, një qytetare mbante një pankartë me mbishkrimin "Jam agjente suedeze". Teksa ka folur për mediat, ajo u shpreh se arsyeja që ka dalë në protestë lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe pensionin e ulët të babait të saj.
"Natyra në Suedi ruhet shumë. Protestoj për pensionin e babit tim që është 100 euro", tha protestuesja.
Ajo u shpreh gjithashtu se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të mbështesë shtresat më në nevojë.
"Të jesh politikan do të thotë të jesh shërbëtor i popullit dhe duhet t'u përgjigjesh shtresave vulnerabël", tha qytetarja.
Lini një Përgjigje