Incidente mes protestuesve, një vajze i hidhet lëng në kokë
Një incident është shënuar mbrëmjen e sotme gjatë protestës së 31-të qytetare para Kryeministrisë, ku një vajzë u përball me reagimin e një grupi protestuesish, të cilët e akuzuan se ishte provokatore dhe patronazhiste.
Sipas asaj që u pa në vendngjarje, disa protestues iu afruan vajzës duke i kërkuar të largohej nga tubimi, ndërsa situata u tensionua për disa çaste mes thirrjeve dhe debatit verbal.
Gjatë incidentit, një prej protestuesve i hodhi në kokë një shishe me lëng, ndërsa të pranishmit vijuan ta akuzonin si provokatore.
"Poshtë patronazhistët! Mos bini pre e provokimeve! Sot treguam që as Policia e Shtetit nuk na provokon dot, jo më një patronazhist. Këta njerëz kanë treguar që nga dita e parë se nuk bien pre e provokimeve. Betejën e kemi vetëm me Edi Ramën”, shprehej një prej folësve.
Pas disa minutash tension, turma e largoi vajzën nga zona ku po zhvillohej protesta dhe situata u normalizua, pa u shënuar incidente të tjera.
Protesta vijoi më pas normalisht para Kryeministrisë, me fjalimet e organizatorëve dhe thirrjet e zakonshme "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".
Lini një Përgjigje