TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2026, 20:37

I nxehti mbush spitalet, mbi 400 qytetarë kërkojnë ndihmë brenda një dite

Shkruar nga Pamfleti

I nxehti mbush spitalet, mbi 400 qytetarë kërkojnë ndihmë

Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Vetëm në 24 orët e fundit, mbi 400 pacientë janë paraqitur në Urgjencën Polivalente të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT).

Sipas mjekëve, fluksi i pacientëve është rritur ndjeshëm për shkak të temperaturave ekstreme, ndërsa rastet më të shpeshta lidhen me problematika kardiake, por edhe me intoksikacione nga alkooli dhe ushqimi.

Specialistët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të përkeqësojë gjendjen e personave që vuajnë nga sëmundje kronike, ndaj u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

"Temperaturat e larta mund të përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të pacientëve me sëmundje kronike. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të hidratohen vazhdimisht dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma shqetësuese", shprehen mjekët.

Me parashikimet që temperaturat do të mbeten të larta edhe gjatë muajve korrik dhe gusht, mjekët këshillojnë shmangien e ekspozimit në diell, hidratim të vazhdueshëm dhe konsumimin e ushqimeve të freskëta.

Apeli shkon veçanërisht për të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe pacientët me sëmundje kronike, të cilët konsiderohen grupet më të rrezikuara nga temperaturat e larta.

i nxehti temperatura paciente mjeket urgjence

Lini një Përgjigje