TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Qershor 2026, 22:37

Blendi Klosi: Edi Rama gati të dialogojë, por dorëheqje nuk ka

Shkruar nga Pamfleti
Blendi Klosi: Edi Rama gati të dialogojë, por dorëheqje nuk ka
Rama-Klosi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar protestën qytetare që prej 31 ditësh zhvillohet para Kryeministrisë, duke deklaruar se qeveria nuk mund të ulet në negociata me një grup që kërkon largimin e saj.

I ftuar në emisionin "Now" me Erla Mëhillin, Klosi tha se mazhoranca ka qenë e gatshme të dialogojë me protestuesit për shqetësimet e tyre, por sipas tij, kërkesa e vetme që artikulohet aktualisht është dorëheqja e qeverisë.

"Një kërkesë ka pasur nga Edi Rama dhe qeveria: hajde të negociojmë dhe t'ju dëgjojmë për hallet që keni dhe për ato që kërkohen nga qeveria. Kjo është pjesa e vetme që ka pasur mazhoranca. Ka pasur mundësi që të krijohej një përfaqësi që ditën e parë. Tani ka vetëm një kërkesë, dorëheqjen e qeverisë. Nuk e di si mund të ulet një qeveri me ata që kërkojnë që ajo të rrëzohet. Të negociojmë rrëzimin?", u shpreh Klosi.

Më tej, ai theksoi se kërkesa për dorëheqjen e qeverisë nuk është një situatë e pazakontë në politikën shqiptare, duke kujtuar edhe protestat e organizuara ndër vite nga Partia Socialiste.

"Grupe që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë ka çdo ditë. Kështu që nuk kemi asgjë të keqe me këtë. Por kjo nuk do të thotë që qeveria të japë dorëheqjen. Ne kemi bërë më shumë protesta se ata. Ne kemi qëndruar aty me ditë e me natë. Edhe Berisha nuk e dha dorëheqjen", deklaroi Klosi.

Deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së vijnë në një kohë kur protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 31-të, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore.

 

rama klos

1 Komente

  1. a
    astrit

    Njësoj si Berisha në 97 nuk pranonte dorheqjen, dhe përfunduam në anarki!

    Lini një Përgjigje